Na ndiqni

Ekonomi

Kosova nuk heq dorë nga taksa ndaj mallrave serbe

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 20:02
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se taksa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai i bëri këto komente në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit të Kosovës që ishte thirrur për të diskutua, siç thuhet, dështimet në politikën e jashtme të vendit, një ditë pasi që qeveria e Kosovës vendosi që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia.

Kryeministri Haradinaj tha se pa një qasje të tillë ndaj Serbisë, nuk do të mund të normalizohen marrëdhëniet.

“Do të kemi këshilla të mira, lutje e përkrahje, do të jepet edhe ndonjë çmim si kundërvlerë për këto masa, por nuk është mirë që Kosova t’i heq deri sa nuk njihet pavarësia e Kosovës. Pse e them këtë? Jo se e kemi zbuluar ne Amerikën, por ju siguroj që pa një qasje të tillë është e pamundur që të mbërrihet një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht detyruese e njohjes së ndërsjellë. Nëse nuk e kemi këtë qëndrueshmëri, nëse nuk dimë të qëndrojmë, atëherë ne vet po heqim dorë nga vetvetja dhe pse të na pranoj tjetri?”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se i ka dërguar një letër shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për t’ia shpjeguar arsyet e vendimit për rritjen e taksave, një ditë pasi që kjo e fundit kërkoi nga qeveria që të tërheq menjëherë taksën.

Zëdhënësja e zonjës Mogherini, Maja Kocijanciç, tha se pret që qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin dhe sipas saj, reagimi i zonjës Mogherini nuk ishte i tepruar.

"Ne kishim të njëjtën gjë dhe reaguam në të njëjtën mënyrë kur u njoftua javën e kaluar se ngritja fillestare ose rritja prej 10 për qind. Kështu që mesazhi këtu është i qëndrueshëm, është e qartë, ne kemi qenë shumë të qartë pse ne mendojmë kështu sepse është një shkelje të marrëveshjes CEFTA, nuk është në frymën e Marrëveshjes së Stabilizimit Asocimit”, tha ajo duke nënvizuar se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

"Nuk është se ne nuk e pranojmë që ka probleme, por për ne thjesht, mënyra, reagimi, mënyra për ta bërë atë, mënyra se si qeveria e Kosovës ka reaguar në këtë kontekst thjesht nuk është rruga e drejtë", tha zonja Kocijançiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha të enjten pas një takimi me udhëheqësit e serbëve të Kosovës në Beograd, Serbia duhet të ruaj qetësinë dhe paqen dhe të përgatitet për një betejë të gjatë, ndërsa ritheksoi qëndrimin se Beogradi nuk do të njohe pavarësinë e Kosovës.

Ai u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të heqin dorë nga masat që sipas tij do të dëmtojnë rëndë qytetarët serbë në Kosovë por edhe qytetarët shqiptarë,

Vendimi i së mërkurës pritet të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet edhe ashtu shumë të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dogana e Kosovës i tha Zërit të Amerikës se që nga hyrja në fuqi e taksave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, rreth 20 maune me mallra janë kthyer mbrapsht, për shkak të mosinformimit për rritjen e taksave dhe mënyrës se si vendet prodhuese i janë referuar shtetit të Kosovës.

Sipas vendimit të qeverisë, të gjitha vendet që eksportojnë në Kosovë, duhet ti referohen asaj me emrin kushtetues, Republika e Kosovës.

Kosova importon nga Serbia mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit./voa

voa
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test