Na ndiqni

Durrësi

‘Muri i Portës’, monumenti 7 km nga Durrësi, por i mbetur jashtë vëmendjes

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 19:37
Muri i Portës

Muri i Portës është një monument 7 kilometra larg qytetit të Durrësit, por është lënë jashtë vëmendjes së turistëve.

I dalluar për monumentet e shumta, dëshmi të periudhave të ndryshme historike, Durrësi ofron edhe një tjetër monument të rëndësishëm, po të mbetur jashtë vëmendjes së vizitave turistike. Shumë pak e njohin, apo e kanë vizituar “Murin e Portës”.

Ai ndodhet rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit, në Porto Romano, fare pranë portit të karburanteve, dhe u ndërtua për të mbrojtur qytetin prej një sulmi të mundshëm nga veriu, duke shfrytëzuar afërsinë e detit me kënetën.

Në rast se muri i Portës nuk ndërtohej, armiku mund të depërtonte më lehtësisht përmes mureve të arritshme të qytetit.

Historianët ndajnë mendime të ndryshme përsa i përket periudhës së ndërtimit të murit. Disa shprehen se ai u ndërtua gjatë periudhës së perandorit Anastas I, ndërsa historianë të tjerë e shtyjnë në kohë. Duke iu referuar teknikës së ndërtimit thonë se muri i përket periudhës së sunduar nga perandori Justinian.

Kjo zonë ofron dëshmi të fortifikimit të qytetit në dy periudha të largëta kohore nga njëra-tjetra: Murin e Portës që i përket antikitetit të vonë dhe bunkerët, qendra zjarri e mbrojtjeje të ndërtuara në shek.

XX gjatë regjimit komunist që e ktheu Shqipërinë në vendin më të izoluar në botë. Thuajse paralel me traktin e murit të vjetër, gjatë sistemit komunist, ushtria ngriti dhe një tjetër sistem fortifikimi me bunkerë betoni buzë detit, duke ndërthurur kohë e teknika të ndryshme ndërtimi të përdorura për mbrojtjen e Durrësit.

Po sot, ky monument që mbrohet nga shteti ndodhet në gjendje të mjerueshme. Kushtet atmosferike, bimësia që e ka mbuluar një pjesë të tij, erozioni detar dhe veprimtaria e njeriut, përfshirë dhe mosmirëmbajtjen e tij e kanë dëmtuar rëndë Murin.

Restaurimi dhe sinjalistika orientuese do ta kthente këtë monument në një nga atraksionet turistike më të vizitueshme të Durrësit, pas Amfiteatrit Antik dhe Muzeut Arkeologjik.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test