Na ndiqni

Durrësi

Trotuare të rrëshqitshme në Durrës. Në vend të pllakave, mermer importi

Nga: Top channel Më: 22 maj 2018 Në ora: 12:34
Durrës

Në infrastrukturën rrugore të qytetit bregdetar të Durrësit po kryhen disa investime të rëndësishme, për funksionalitetin e të cilave, urbanistët dhe qytetarët shprehen skeptikë, ndërkohë që Durrësi përballet me problematika më të mprehta, siç është ajo e ujit të pijshëm dhe menaxhimit të mbetjeve urbane.

Ardian Muka, urbanist dhe këshilltar bashkiak, thotë: “Kjo është një ndërhyrje korruptive. Po shpenzohen 1,5 milionë euro për rikualifikimin e këtyre rrugëve që mund të shkonin për të zgjidhur problematikën e ujit, problematikën e plehrave që ndizen në qiell të hapur, për të zgjidhur problematikën e shimbledhësve që të shmangen përmbytjet”.

Me një vlerë prej 252 milionë lekësh po investohet përgjatë rrugëve “Aleksandër Goga” dhe “Egnatia”, por për urbanistin dhe këshilltarin e Partisë Demokratike, kjo ndërhyrje është e destinuar që të dështojë: “Do të rezultojë shumë shpejt një investim i gabuar, siç doli Veliera, rruga e plazhit dhe sheshi”.

Përveç sigurisë së lëvizjes së këmbësorëve në pllakat e lëmuara që po vendosen në trotuare, një tjetër shqetësim që konstatohet nga Muka është edhe fakti se këto pllaka importohen.

“Pllakat janë të rrëshqitshme. Është i njëjti standart që është zbatuar në sheshin kryesor të qytetit. Do të jetë problem në situatë shiu. Këto lloj pllakash nuk janë karakteristike të qytetit. Po vijnë gurë nga Italia, ndërkohë që Shqipëria po eksporton gurë nga Berati e Këlcyra”, tha Muka.

Interesimit tonë në lidhje me këtë ndërhyrje në infrastrukturë që ka zgjuar dhe reagimin qytetar e atë të specialistëve, në Bashkinë e Durrësit i përgjigjen me nevojën e zhvillimit urban të një qyteti turistik. Në këtë kuadër, sipas bashkisë, po bëhet standardizimi i rrugëve në bazë të Kodit Rrugor shqiptar dhe standardeve urbane të BE-së, duke i dhënë përparësi lëvizjes së qytetarëve dhe turistëve këmbësorë përmes trotuareve të gjera.

Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test