Na ndiqni

Dokumentare

Ulkiani, Ulkianum – Ulpianum

Nga: Prof. Dr. Rexhep Doçi Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 15:33
Prof. Dr. Rexhep Doçi

Sot rrënojat e qyteti Ulkiana-Ulpiana afër Prishtinës, që mbase mbreti Trajan e ndërtoi ose më parë do të thoshim e rindërtoi, ku gjithashtu sundonte në fillim të erës sonë, gjallërojnë me emërtimin Ulpiana. Pra, shihet qartë se te një qytet Ulkianum, i mbretit ilir Trajanit, gjendej e strukur fjala pellasde-ililre-shqipe me trajtat *ulk > ujk > uk, që më vonë u përkthye edhe në emrat e vendbanimeve të tjera të Kosovës në lat. lupus (si fjalë e huaj me metatezë nga popullata ilire dha ulpus?), në gr. likos(?), në sll. vlk-vuk, për të cilën çështje onomastike kam shkruar gjerësisht edhe më parë, po po i themi edhe disa fjalë në vijim për Ulkianin. 

Gjasët janë se Kështjella e madhe Dardane Ulkianum është formuar apo themeluar  në zanafillë nga emri i mbretit iliro-dardan Ulkian pikërisht në zemër të Dardanisë paraantike, që sot gjendet në juglindje të Prishtinës. Rëndësia e madhe dhe e pakrahasuar e mbretit ilir Ulkian qendron në faktin se qysh në paraantikë shfaqet fjala ilire-shqipe me trajtën ulk, që më pastaj pësoi ndryshime fonetike, por edhe u ruajt aty-këtu forma arkaike ulk-ujk. Oikonimi iliro-dardan Ulkianum shfaqet me bazën antroponimike ulk-: Ulkian-Ulkianum. Ka qenë dukuri e zakonshme te mbretërit ilirë, që  me emrat e tyre t’i emrojnë ose pagëzojnë qytetet e mëdha, që i kanë themeluar vetë, siç janë sa e sa shembuj. Shihet qartë se mbreti ilir Ulkiani e themeloi qytetin e tij madheshtor prej rreth 40 hektarësh. Porse, më pastaj mbreti ilir nga Mitrovica Ulpius Trajani (v. 87-117) ia ndërroi emrin dhe e quajti me emrin e vet Ulpius, emër që mund të diskutohet si për nga kuptimi ashtu edhe fonetika historike, si dhe se, gjasët janë se më vonë u përkthye për emrimin e oikonimeve në lat. llupus; gr. likos, sll. vlk-vuk, fjalë këto që gjenden edhe në rrënjorët e disa fshatrave të Kosovës. Prandaj, nga fjala ilire-shqipe ulk>ujk>uk në shumës ujq (uq) mendoj se është krijuar edhe emri i fshatit të Istogut Uqë. Për lashtësinë e fjalës ilire-shqipe ulk në onomastikën ilireshqipe flet edhe emri i qytetit të Ulqinit, i cili përmendet si emërtim ilir në veprën “Ilirët dhe Iliria te atutorët antikë” me trajtat: “Ulkinion, Olcini, Ulcinium, Bicinian, Vicinium, qytet, Ulqini i sotëm”. Vlen për të theksuar se, në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” e gjejmë vendbanimin ilir Ulkian me një emër të tretë (pos të emrave Ulkianum e Ulpianum), siç kuptojmë të një mbreti ilir më të ri: “Ulpiana, Veclanum, Justiniana e Dytë…”. Shihet se Justiniani ilir dardan njëmend e ka emëruar me emrin e vet si Justiniana e Dytë, sepse Justiniana e Parë ishte mbase vendlindja e tij, fshati Tauris (sot Taor) i rrethit të Shkupit, ngase Prokopi i Cezaresë e përshkruan kështu Justinianin si sundimtar i plotëfuqishëm: “Justiniani I (527-565)… Diku te dardanët europjanë gjendet një fshat me emrin Tauris, ku ka lindur perandori Justinian, themeluesi i perandorisë botërore. Ka pasur në Dardani një qytet që quhej Ulpiana. Muret e tij ai i rindërtoi”.

Porse, sot, fatkeqsisht rrënojat e Ulkianit nga disa studiues, sidomos arkeologë shqiptarë dhe serbë nuk e quajnë as me emrin më të vjetër iliro-shqiptar të qartë Ulkian - Ulkianum, e as me emrin më të ri Justiniana e Dytë, po i thonë me emërtimin e errtë kuptimisht dhe gjuhësisht Ulpiana. Këta arkeologë mandej, çka është edhe më keq dhe për habi, hezitojnë ta quajnë vendbanim me zanafillë ilire Ulkian apo Ulkaianum. Mirëpo, të dhënat e mësipërme bëjnë për të kuptuar se si Fortifikata e UlkIianit apo Ulkianës ashtu edhe përplot oikonime ilire-shqipe të tjera ballkanike e më gjerë, do t’iu vijë koha që të zbulohen dhe të dëshmohen bindëshëm si emërtime ilire-shqiptare, që si të tilla, prej 360 fortifikatave  që i ndërtoi dhe rindërtoi Justiniani për mbrojtje nga hordhitë e veriut këndej Danubit në Ballkan, shumë prej tyre mund të përqasen me shqipen.   Këtyre 56 emrave të mbretërve ilirë të theksuar më lartë (16 të K. Paçit, 14 të D. R. Mioçeviqit dhe 19, që i kam gjurmuar nëpër vepra e burime shkrimore), prej të cilëve ka edhe mbretër që shfaqen me të njëjtin emër të përtërirë në lozën gjenealogjike po ua shtoj edhe 15 emra të mbretërve ilirë, që janë përmendur në një artikull impozant me titull “300 vjet në krye të Romës”, në gazetën “Rrënjët”, ku bëhet e ditur: “Për rreth 3 shekuj (251 – 565), Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë… Trajan Decius. Lindi në v.201 në Budalia (Mitrovica e Kosovës); Hostiliani (230-251); Klaudi i II-të (268); Mbretërimi Quintillus; Aureliani, lindi në v. 175 në Sirmium (Mitrovica e Sremit, Shpëtimtari i Ilirisë); Probi; Diokleciani (v. 284-305); Maximianus Herculus (Maksimiani, 249-284); Galeri, perandori i fitoreve të bujshme. Galeri lindi në Iliri. Vdiq në Serdica (Sofie) në v. 311;

Konstantini i Madh, perandori që ndryshoi Historinë. Lindi në v. 272 në Naissus të Dardanisë; Maximinus II (v. 270 – 313); Valentinian I (v. 321 – 375)”. 

Sipas pasqyrës së mësipërme të këtyre mbretërve ilirë, janë krejtësisht më së 71 emra të mbetëreshave e mbretërve ilirë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të lindur në Siujdhesën Ilire (Ballkanike), dhe kanë sunduar pjesërisht në tri kontinente, Evropë, Azi dhe në Afrikën Veriore. Mirëpo, dihet pothuajse saktësisht për shtatë (7) mbretër shumë të zotë ilirë, që kanë lindur në Dardaninë Antike (Kosovë), që njihet më tepër si periudha romake, dhe këta janë: Trajani (v. 98 – 117, i lindur në Budalia - Mitrovicë); Galeri (v. 292 – 305, i lindur në Romeliana apo Gamzigrad, përmbi Nish te Zajeçari); Konstantini i Madh (v. 293 – 337, i lindur në Nish); Monuni Dardan (gjysma e parë e shek. II p. e. s.); Batoni Dardan i para erës sonë, Ulkiani dardan i para erës sonë(?) dhe Justiniani (518 – 527, siç u tha më sipër), i lindur në Tauresion – Taoresion, që ubikohet me emrin e fshatit të sotëm Taor të rrethit të Shkupit. Ekzistojnë edhe sa e sa mbretëresha e mbretër pellasdo-iliro-shqiptarë, p. sh.: Zeusi, Ntigon Dosoni dhe Antigon Gonata, Baku –Bahu, Dalmati, Deadamia, Dea Dardane, Deci, Kasandri, Malea, Molosi, Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu etj., të cilët janë gjithashtu me interes për studime etnike, etnololgjike, gjuhësore e kuptimore, por, për të cilët mbase do të flasim njëherë tjetër. Këto mbretëresha dhe mbretër ilirë ishin mburojë e çelnikët për krijimin dhe ruajtjen e etnosit të hershëm dhe deri të sotëm pellasdo-iliro-shqiptarë në tokat e tyre, dikur si një popull me shtrirje shumë të gjerë. Mirëpo, duke kaluar nëpër kohë të bujshme, sidomos gjatë kohës së krishtërimit dhe islamizimit, pjesa më e madhe e kësaj popullate u asimilua në etnose dhe popuj më të rij, si në romakë apo italianë, grekë (helenë), sllavë, turq etj., dhe si më besnikët mbetën pasardhësit e tyre autoktonë dhe të drejtpërdrejtë shqiptarët e tkurrur, të cunguar dhe të coptuar në pjesën e Evropës  Juglindore, të shkapërderdhur sot në më së shtatë shtete ballkanike, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi, Bullgari, dhe më gjerë se në këto shtete./FUND

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test