Na ndiqni

Bota e Yjeve

Jeta e re në Tiranë e Inva Mulës me Hetem Ramadanin, angazhimet në biznes dhe televizion pas krizës së përfolur

Nga: panorama Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 15:53
Inva Mula

Viti jubilar i Gjergj Kastriot Skënderbeut mblodhi në Romë emrat më të suksesshëm të artit shqiptar në botë, si dhe figura të tjera të njohura. Mes tyre ra në sy prania e sopranos Inva Mula, e cila ishte ftuar të këndonte në atë skenë. Por ajo nuk kishte shkuar e vetme në këtë event.

Nuk vonoi shumë dhe postoi foton në krah të bashkëshortit, Hetem Ramadani. Kjo është një nga daljet e tyre të para në publik, që para një viti kur u përfolën për një krizë bashkëshortore.

Ishte pikërisht periudha kur Inva mori vendimin për t’u kthyer në Shqipëri, pasi u bë pjesë e produksionit “Virtuozët” në “Tv Klan”. E tashmë që flitet se ka hequr dorë nga karriera operistike (duke qenë se këndon vetëm si e ftuar për ndonjë event), Inva është angazhuar në televizion si drejtore artistike e Festivalit të 57-të të Këngës në RTSH, ndërkohë menaxhon dhe barin e saj në Tiranë.

Ndërsa biznesmeni i komentuar për pasurinë e tij, përveç seancave të meditimit që ofron për të interesuarit, ka hapur tashmë klinikën e tij të mjekësisë alternative, ku ndjek dhe kuron pacientët pa nevojën e ilaçeve.

Hetem Ramadani, një nga shqiptarët më të pasur në botë, njihet si themeluesi i kompanisë tregtare të naftës “Salbatring Internation al”, pasi emigroi në vitet ’90 në Slloveni. Nisja nga e para me angazhime të reja në biznes e çiftit që janë bashkë prej vitesh, erdhi para një viti kur dhe vendosja në Tiranë e Invës u shoqërua me thashethemet për krizë bashkëshortore.

Një vit më parë, para se të çelte sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me “Peshkatarët e Perlave”, edhe me rolin e regjisores, ajo sqaroi zërat në lidhje me një ftohje të marrëdhënies me bashkëshortin Hetem Ramadani dhe një divorci të mundshëm.

INVA MULA, SI NDIHET SI GRUAJA E NJË PASANIKU

“Çdo të thotë të jesh gruaja e një pasaniku?” është pyetja që ndodh t’ia bëjnë shpesh Invës që kur vendosi të jetë në krah të Hetem Ramadanit, me të cilin ka një vajzë.

Në një intervistë për emisionin “Studio e Hapur” në “News24” për gazetaren Eni Vasili, vitin e kaluar, Mula ndau me publikun copëza nga jeta e saj profesionale, marrëdhëniet me fëmijët, por edhe për bashkëshortin, Ramadanin.

Teksa u pyet nga moderatorja e emisionit lidhur me një kuriozitet të publikut për faktin se si është të jesh gruaja e një njeriu të pasur, Inva tha se është shumë e pavarur financiarisht.

“Sigurisht është një komoditet. Por Inva është shumë indipendente, edhe financiarisht. Pasi kam arritur që të mbaj familjen dhe kam arritur që të krijoj një standard për të rritur fëmijët e mi dhe për të jetuar normalisht. Pjesa tjetër që bën pjesë në ekzagjerimet apo udhëtimet pa sens, apo veshjet, për mua nuk kanë asnjë vlerë. S’e kam parë asnjëherë të qenurit bashkëshorte e një njeriu të pasur. Por ama, pas një njeriu të pasur financiarisht, fshihet një njeri i pasur intelektualisht. Për mua, kjo ka rëndësi. Për arsye se ajo pjesa e luksit mbaron shumë shpejt. Është një fishekzjarr që ka ndriçim të bukur, por nuk ka vlerë për të ushqyer inspirimin tim si artiste“, citohet të jetë shprehur sopranoja.

Image
Image
panorama
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test