Na ndiqni

Analiza

Afati për kundërpërgjigjen “e ashpër” të Trumpit skadoi! Po tani?

Nga: Jamie Tarabay Më: 11 prill 2018 Në ora: 12:50
Donald Trump

Ai ishte personi që kritikoi dikur presidentin Barack Obama se kishte vendosur publikisht “vija të kuqe”, pas të cilave varej vendimmarrja për angazhimin e ushtrisë amerikane përtej detit, por tashmë si president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të jetë “strukur” në një cep pas premtimit të tij për kundërpërgjigje, madje kundërpërgjigje të ashpër, ndaj sulmeve me armë kimike në Siri.

Javën e kaluar, ai deklaroi se dëshironte të tërhiqte trupat amerikane nga Siria sa më shpejt të ishte e mundur. Por, përdorimi i armëve kimike në Siri gjatë fundjavës mund ta ketë detyruar atë të rivlerësojë situatën dhe praninë e misionit amerikan në vendin e Lindjes së Mesme.

Pas zotimit të së hënës, se “brenda 24 apo 48 orëve të ardhshme” do të merrej një vendim sesi do ta bënte Sirinë të paguante “një çmim të lartë”, Shtëpia e Bardhë nën drejtimin e Trumpit duket tashmë se po përpiqet të përputhë politikat e saj me fjalët e tij.

Prej sulmit të dyshuar me armë kimike, Trump ka anuluar udhëtimin e tij drejt Amerikës së Jugut, ku pritej të merrte pjesë në Samitin e 8 të dy Amerikave. Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis riformatoi axhendën e tij, duke anuluar udhëtimet në Kaliforni e Nevada. Trump ka folur gjithashtu me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministren britanike, Theresa May. Në dy biseda në hapësirën e dy ditëve, Macron dhe Trump vijuan “koordinimin e tyre mbi kundërpërgjigjen ndaj aktit kriminal të Sirisë, të përdorimit të armëve kimike më 7 prill”, deklaruan nga Shtëpia e Bardhë. Një zyrtar amerikan tha se Shtëpia e Bardhë po koordinohej me shumë gjasë me palën franceze mbi një sulm të mundshëm, duke qenë se mund të përballeshin me shqetësimet se May nuk do të mund të merrte miratimin e Parlamentit britanik për sulmet. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dështoi të miratonte një rezolutë që do të ngrinte një grup hetimor të pavarur ndaj përdorimit të dyshuar të agjentëve kimikë në Siri, për shkak të vetos së Rusisë, e gjashta nga Kremlini zyrtar lidhur me armët kimike në Siri.

Trump është strukur në një cep – Aktivistët sirianë raportuan të shtunën se helikopterët e forcave të Assadit hodhën fuçitë-bomba që përmbanin gaz vdekjeprurës mbi periferinë e kontrolluar nga rebelët të Damaskut, Douma. Pamjet e të civilëve të plagosur e të vrarë detyruan Trumpin të “cicëronte” rreth një “sulmi kimik të paimagjinueshëm”, e fajësoi Rusinë dhe Iranin për mbështetjen e tyre ndaj presidentit Bashar al-Assad. “Një çmim i lartë do të paguhet”, shkroi ai në “cicërimën” e 8 prillit. Por, sipas Anthony Blinken, ish-zv.Sekretar Shteti dhe këshilltar për Sigurinë Kombëtare i presidencës “Obama”, Trump mund “të jetë strukur në një cep, në një farë mase”. Blinken tha për gazetaren e CNN-it, Christiane Amanpour se, vetëm pak ditë pasi i dha ushtrisë amerikane një afat 6-mujorsh në Siri përpara se të tërhiqeshin, Trump detyroi administratën e tij të ndryshonte kurs dhe të fokusonte më shumë burime atje, në vend të pakësimit të tyre.

“Ai sulm tronditi të gjithë ambientin, e tani duhet të ecet sa më shpejt të jetë e mundur për të vënë në jetë një lloj plani, që do të përshtatej me retorikën e presidentit”, tha Blinken. “Ai është pikërisht individi që përmes cicërimave të tij shkruante se, është e papranueshme që do t’i duhet të ndërmarrë veprime që duhej të ishin marrë një vit më parë. Ai realisht nuk mund të zmbrapset në këtë moment, kështu që kemi të bëjmë me një garë të çmendur, por që mbetet ende për t’u kuptuar”.

Edhe Irani ka premtuar një kundërpërgjigje – Ndryshe nga një vit më parë, kur një tjetër sulm me armë kimike në Siri detyroi Trumpin të urdhëronte sulme ajrore ndaj një baze ajrore siriane, ushtria amerikane ka ndaluar çdo veprim të menjëhershëm. Siria, megjithatë, mbetet ende shënjestër e sulmeve të mundshme dhe atyre të ndodhura realisht. Të hënën, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se dy avionë luftarakë izraelitë “F-15” lëshuan 8 raketa nga territori libanez në drejtim të bazës ajrore në qendër të Sirisë, “T-4”. Dikasteri rus tha gjithashtu se njësitë e mbrojtjes siriane shkatërruan 5 prej raketave. Por jo vetëm Rusia. Edhe Irani fajësoi Izraelin për atë sulm. Të martën, një këshilltar i lartë i Ajatollah Khameneit tha se “krimet e Izraelit nuk do të mbeten pa kundërpërgjigje”. Këshilltari, Ali Akbar Velayati, mbërriti në Damask të martën për një konferencë ndërkombëtare. Por, Irani e ka mbështetur prej një kohe të gjatë Assadin në Siri, ndërsa media shtetërore e Republikës Islamike “IRNA” raportoi se “disa këshilltarë ushtarakë iranianë” kishin vdekur si pasojë e sulmit me raketa.

Faktet ekzistojnë, por asnjë përgjegjës për to – E ndërsa opsionet për ndërhyrje ushtarake janë ende në konsideratë, një ekip hetimor mbi armët kimike është nisur drejt Sirisë. Inspektorë nga Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) njoftoi se do të dërgonte një mision faktmbledhës në Douma për të hetuar mbi sulmin e dyshuar me armë kimike. E veç kërkesës ndaj qeverisë siriane “për të lejuar hyrjen dhe veprimtarinë e këtij misioni”, ekipi në fjalë mori edhe një kërkesë nga sirianët për të shkuar atje e për të qenë dëshmitarë të ngjarjes. Ministria e Jashtme siriane njoftoi gjithashtu se “mezi pret të bashkëpunojë me misionin, për transparencë të plotë dhe mbështetje konkrete mbi prova të besueshme”. Por, edhe pse agjencia ka nisur ekipin, ky i fundit nuk do të mund të atribuojë përgjegjësinë për gjetjet e tij, siç konfirmon OKB-ja. “Pjesëza që mungon në këtë ‘puzzle’ është përgjegjësia. Ne kemi një mision faktmbledhës, por na duhet edhe pjesa tjetër që na është bashkëngjitur gjatë së kaluarës përmes mekanizmit të përbashkët hetimor, që tashmë nuk ekziston”, tha Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, të martën. “Kemi gjysmën e mjeteve, do të mund të mbledhim vetëm faktet, pasi janë pjesë shumë e rëndësishme e hetimit, por pjesa tjetër është edhe bërja përgjegjës”.

Ndërkohë, edhe Agjencia europiane për Sigurinë në Aviacion paralajmëroi të martën linjat ajrore të shmangin sa të munden lindjen e Mesdheut, për shkak të “sulmeve të mundshme ndaj Sirisë në 72 orët e ardhshme”./CNN 

Top Channel
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test