Na ndiqni

Aktuale

Ilir Deda: Edi Ramës t’i vijë turp pse vjen në Kosovë e mban ligjërata se kufijtë mund të negociohen

Nga: Koha Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 20:30
Ilir Deda

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, i ka quajtur për keqardhje deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë sot në Pejë.

Rama sot tha se nuk e përjashton idenë e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, e për këtë Deda tha se “është mirë që kryeministri i Shqipërisë nuk vendos për Kosovën se kush e di ku do të ishin kufijtë”.

I pari i ekzekutivit të Shqipërisë duke folur për temën e korrigjimit të kufijve tha se kushdo që “ngre dorë ndaj presidentit Hashim Thaçi duke e quajtur tradhtar, është gomar”. Kjo, sipas Dedës, ishte fyerje ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Sot ra gjithçka nën hijen e nervozizmit të Edi Ramës pasi duket se ai ka investuar shumë në projektin e Thaçit dhe Vuçiqit e duhet t’i vijë turp pse vjen në Kosovë e mban ligjërata se kufijtë mund të negociohen. Në fund fyeu të gjithë qytetarët duke iu thënë gomarë. Kosova s’e ka pasur historikisht përkrahjen që iu ka dashur nga Shqipëria dhe kjo është për keqardhje. Maskat e të gjithëve po bien e kjo është më e rëndësishme për popullin tonë që të shohin kush është për këta kufij. Edhe me Kushtetutë ndarja e Kosovës cilësohet tradhti. Është pjesë e ligjit e ndoshta Rama duhet ta lexojë kodin penal të Kosovës”, ka thënë Deda.

Deda po ashtu ka kritikuar ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli, për dështimin për anëtarësim në Interpol. Tha se ai duhet të japë përgjegjësi për dështimin e dytë të Kosovës në rrugët për pranime në organizata ndërkombëtare.

“Dështimi i Interpolit s’është harruar e duhet të ketë përgjegjësi nga ministri i Jashtëm. Një natë para votimit, Pacolli i tha gazetarëve që i kishte marrë me vete në Dubai se nesër pranohet në Interpol. Tani tha jo Serbia ka lobuar fuqishëm e unë mendoj se duhet ta marrë përgjegjësinë. Kjo ishte goditja e dytë. E para ishte me UNESCO-n, e Interpoli i dyti”, ka thënë Deda.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test