Na ndiqni

Aktuale

Rasti Sekiraqa, shoku i Triumfit dëshmon për lidhjet me këngëtaren e njohur

Nga: Express Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 17:41
Enver Sekiraqa

Rigjykimi i Enver Sekiraqës ka arritur deri tani tek dëgjimi i dëshmitarëve. Në Gjykatën Themelore sot dëshmoi shoku i Triumf Rizës, Blerim Shala, i cili tregoi për kërcënimet që i ka marrë Riza derisa ishte gjallë, rastin e vrasjes së tij dhe lidhjet që i kishte shoku i tij me këngëtaren Adelina Ismailin

Në cilësinë e dëshmitarit, u paraqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shoku dhe kolegu i policit të ndjerë, Triumf Riza.

Enver Sekiraqa, është i akuzuar se ka nxitur që të kryhet kjo vrasje, më 30 gusht të vitit 2007.

Media ka vazhduar me përcjelljen e seancave gjyqësore për rastin e Enver Sekiraqës, që kur kjo lëndë është kthyer në rigjykim.

Blerim Shala tregoi para trupit gjykues se si zyrtar policor e ka nisë punën nga 12 shkurti i vitit 2001. E me Triumf Rizën, ai tha se u njoftua derisa po e mbanin kursin për mbrojtje të afërt, në po atë vit.

Megjithatë, dëshmitari tregoi se edhe pas përfundimit të këtij kursi, shoqëria e tyre ka vazhduar edhe më tutje, jo vetëm si kolegë, por edhe si shokë.

Fillimisht, dëshmitari Triumf Rizën e përshkruante si person që ka qenë shumë profesional, shumë i afërt me kolegët dhe me të gjithë qytetarët. Por, ata shpesh kanë biseduar edhe për problemet dhe shqetësimet që i kanë. E në këtë pikë, Triumf Riza Blerim Shalës i ka treguar edhe për kërcënimet dhe problemet që i ka pasur me “grupin e Enver Sekiraqës”.

Rasti i parë i kërcënimit

Dëshmitari tha se Triumf Riza së bashku me disa policë të UNMIK’ut po bënte një patrullim të zakonshëm, aty Riza ndali një veturë. Në atë veturë, dëshmitari tha se ishte Enver Sekiraqa, i cili e kishte nxjerrë një granatë të dorës dhe e kishte kërcënuar Rizën.

“Nuk e di cili vit ka qenë, kur Triumfi ka tentu ta ndajë së bashku me një ndërkombëtar. Sipas Triumfit, Enveri e ka nxjerr një granatë të dorës edhe e ka kërcenu që mos me ndalu”, tregoi dëshmitari.

Që nga ajo ditë, dëshmitari tha se “grupi i Enver Sekiraqës” e kanë përcjellë Triumf Rizën. Ai përmendi edhe emrat që ia kishte treguar Triumfi, se kush po e përcillte.

Rasti i dytë i kërcënimit

Rrahim e Ilir Avdullahu, tha ai, dhe disa persona të tjerë e kanë përcjellë, e që të njëjtit i akuzon se ia kanë djegur edhe veturën Triumfit.

 “Kur ia kane djeg veturën Triumfit, ai ka dyshu që këta ia kanë djeg, edhe të njëjtit janë intervistu në cilësinë e të dyshuarve”, tha Shala.

Rasti i tretë i kërcënimit

Incident tjetër që iu evidentua në raportin mes Rizës edhe Sekiraqës, ishte edhe incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino”. Konflikti që rezultoi edhe me përleshje me armë ku pati edhe të plagosur, ndodhi në krishtlindjet e vitit 2005.

Në këtë konflikt sipas prokurorisë u përfshinë disa pjesëtarë të grupit “Sekiraqa”, në njërën anë dhe Triumf Riza me shoqëruesit e tij në anën tjetër.

Dëshmitari tregoi se në këtë rast kishte mbetur i plagosur polici Arben Selmanaj, i cili pas vrasjes së Triumf Rizës hoqi dorë nga Policia e Kosovës dhe la Kosovë. Ai, më pas është zhvendosur në SHBA për të jetuar.

Arsyet e largimit të tij, dëshmitari tha se ishin pikërisht kërcënimet dhe rreziku që ai e ndjente nga “grupi i Enver Sekiraqës” pas vrasjes së Triumf Rizës.

“Unë e kam ditë që ai ka me lëshu shërbimin policor. Ai është largu për shkak të rrezikut dhe kërcënimeve që i kanë ardhur. Kërcënimet ka thanë që i kanë shku nga grupi i Enverit”, tha polici Blerim Shala.

Ai tha gjithashtu se Triumf Riza ka pasur probleme vetëm me këtë grup dhe me askënd tjetër, kështu disa herë i kishte treguar Shalës që po kërcënohet.

Kolegu dhe shoku i Triumfit, tha sot se e kishte këshilluar disa herë Rizës që t’i paraqiste në polici këto kërcënime, për të cilat tha se, me aq sa e di, Triumfi i ka raportuar të gjitha.

Triumf Riza u vra në Prishtinë më 30 gusht të vitit 2007. Disa ditë pas vrasjes policia e Kosovës arriti të arrestoj, Arben Berishën, që ka pranuar se është autor i vrasjes.

Shoku i Triumfit, dëshmoi sot edhe për ditën kur ka ndodhur vrasja. Po atë ditë, Shala tha se Triumfi ka shkuar në zyrën e tij se ia ka kërkuar databazën e personave të dyshuar.

“I ka nxjerr disa fotografi nga albumi që e kemi, dhe diçka ka marrë, por nuk e di cka”, tha dëshmitari.

Mëngjesin e asaj dite, Blerim Shala ishte takuar me Triumf Rizën dhe kishin pirë kafe në pauzë. Në atë kohë, Shala ishte hetues në departamentin e Krimeve të rënda.

Më vonë pastaj, pasi që Triumfi ka kërkuar databazën, Blerim Shala ishte në stacion policor kur ka marrë vesh se e kanë gjuajtur me armë Triumfin.

“Kemi shku në spital dhe kemi pa që ai veç kishte vdekur”, rrëfeu ai.

A ka pasur Triumf Riza raporte me Adelina Ismailin?

“Po, më ka kallxu që ajo është anku diçka... nuk e di, ajo ka qenë jeta e tij private dhe nuk kisha dashtë me folë diçka që nuk e di. Krejt çka di, është se është shoqëru me të, po ma gjatë nuk e di a kanë pas ndonjë raport ata.”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se Triumfi i ka treguar se Enver Sekiraqa e mbante me dhunë Adelina Ismailin. Kështu të paktën ajo i kishte thënë Triumf Rizës.

“Unë e kam sygjeru që rastin ta paraqesë në polici dhe i kam thanë Triumfit mos u merr me Adelinën më gjatë, me të le të merren organet e drejtësisë”, dëshmoi shoku i Rizës.

E kur dëshmitari u pyet për Arben Berishën, ai tha se nuk e ka njohur, por të njëjtin as Triumf Riza nuk e ka njohur.

“E ka përshkru, po emrin nuk ia kemi ditë. Ka thanë që rrin me një kapele gjatë gjithë kohës, por Triumfi e as unë nuk e kemi njohur”, tha dëshmitari.

Ky rast ka filluar rishtazi pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Enver Sekiraqa akuzohet për nxitjen e vrasjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë, Triumf Rizës.

Sekiraqa ishte dënuar në vitin 2016 me 27 vjet burg në lidhje me nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, mirëpo Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu në rigjykim çështjen.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test