Na ndiqni

Aktuale

MKRS e mbushur me punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta

Nga: Kallxo Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 16:17
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pavarësisht vërejtjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit vazhdon të rrisë numrin e punëtorëve me kontrata të veçanta, apo siç njihen ndryshe për Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.

Vetëm gjatë këtij viti MKRS me kontrata të tilla ka pranuar 26 persona, ndërkaq gjithësej në këtë ministri dhe në institucione vartëse të saj, janë të angazhuar 101 punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta.

Pavarësisht arsyetimeve se angazhimi i punëtorëve me kontrata bëhet për nevoja të saj dhe institucioneve vartëse, komuniteti kulturor dhe Zyra Kombëtare e Auditimit vazhdimisht japin vërejtje rreth kësaj mënyre të rekrutimit të punëtorëve nga ana e MKRS dhe institucioneve të saja vartëse.

Duke sqaruar angazhimin e punëtorëve me kontrata të tilla, dhe numrin e tyre, MKRS ka sqaruar në një përgjigje për KALLXO.com se ministria dhe institucionet vartëse të saj duke u bazuar në nevojat dhe specifikat e tyre për shkak të natyrës dhe fushë-veprimtarisë specifike angazhon ne vazhdimësi nëpunës për periudha të caktuara.

“Në MKRS si dhe në Institucionet Vartëse me kontratë Marrëveshje për Shërbime të Veçanta numri i nëpunësve është gjithsejtë 101 punëtorë. Gjatë vitit 2018 janë pranuar 26 nëpunës, pozitat e tyre janë pozita të cilët kryejnë detyra specifike të punës në MKRS dhe institucionet vartëse”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Më tej, MKRS konkludon se për të gjitha punësimet sipas legjislacionit në fuqi hap konkurs publik dhe i respekton normat ligjore të parapara.

Në anën tjetër Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e saj për pasqyrat financiare të MKRS gjatë 2017, ka shprehur shqetësimin se kjo ministri gjatë vitit kishte angazhuar 104 persona me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta .

Në bazë të ligjit për shërbimin civil të Kosovës, sipas ZKA-së këto i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për to duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

“Ne kemi vërejtur se nga 104 të angazhuarit me MSHV, 14 prej tyre janë marrë pa procedura të rekrutimit. Angazhimi i punëtorëve me MSHV pa procedura adekuate të rekrutimit, rrit rrezikun që të angazhohen personat jo -kompetentë për pozitat përkatëse dhe kjo mund të rezultojë në mos efikasitet operacional dhe mosarritje të objektivave të organizatës”, thuhet ndër të tjerash në raportin e ZKA-së për pasqyrat financiare të MKRS-së për vitin 2017.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test