Na ndiqni

Aktuale

Thaçi pas takimit me Vuçiqin dhe Mogherinin: Serbia pati diskurs agresiv dhe arrogant

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 18:09
Hashim Thaçi, Federica Mogherini, Aleksandar Vuçiq

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka vlerësuar shumë të vështirë takimin që zhvilloi në Bruksel me homologun serb Aleksandar Vuçiq.

Ai e ka quajtur arrogant diskursin e Vuçiqit.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe Vucic derisa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejtë për arritjen e një marrëveshje të balancuar që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe hyrjen në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 12/44’, tha Thaçi.

Tha se takimi i radhës do të mbahet se shpejti derisa shpreson në arritjen e një marrëveshje finale.

“Mbes me shpresë se me një përfaqësim me bazë edhe më të gjerë politike Kosova si edhe më herët do të ja dalë edhe kësaj radhe’, theksoi Thaçi.

Vuçiq nervoz: Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse s’respektojnë marrëveshjet e nënshkruara para 10 vjetësh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me nervozizëm u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas përfundimit të takimit me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi në Bruksel, në takimin që është mbajtur nën lehtësimin e Federica Mogherini.

Vuçiqi ka thënë se “Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet”.

Një pjesë të madhe të diskutimit të tij, Vuçiqi e ka orientuar me kritika drejt vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

“Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjet të cilat i kanë nënshkruar para 10 vjetësh”, ka thënë Vuçiq.

***

Sapo ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I pari nga takimi ka dal presidenti serb, i cili  nuk është ndalur të flas për media që ishin duke pritur për prononcime, por ka zgjedhur të flas vetëm për një medium serb.

***

Sapo ka filluar takimi trepalësh në Bruksel mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mogherini së pari ka takuar ndaras, Thaçin dhe Vuçiq. 

Image

Thaçi: U pajtuam për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se gjatë takimit që ka pasur me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherinin, janë për dinamizimin e dialogut.

“Sapo e përfundova takimin bilateral me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherinin. U pajtuam për dinamizimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Fillon takimi Thaçi - Mogherini

Sapo ka filluar takimi në Bruksel mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Mogherini pritet të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi flet para takimit me Vuçiqin në Bruksel

Hashim Thaçi, president i Kosovës, ka thënë se në takimin e së enjtes me presidentin serb Aleksandar Vuçiq do të bëjë përpjekje maksimale që të përafrojë qëndrimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obliguese.

Pak para këtij takimi në Bruksel, Thaçi ka thënë se me marrëveshje gjithëpërfshirëse nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka përsëritur se nuk do të jetë lehtë dhe se ka pengesa deri në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Jemi këtu për të zhvilluar takimin e radhës për procesin final të mundësisë për arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve, marrëveshje ligjërisht obliguese për njëra-tjetrën në rrafshin ndërkombëtar. Marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara. E di se nuk është e lehtë. Por marrëveshja është mundësia më e mirë për të ardhmen evropiane të të dy vendeve. Do të bëjmë përpjekje maksimale për të arritur marrëveshjen. Është mundësi e radhës e organizuar nga Federica Mogherini, Bashkimi Evropian me mbështetjen e Amerikës”, ka thënë Thaçi para gazetarëve para hyrjes në takim.

koha
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test