Na ndiqni

Aktuale

Misioni “hakmarrës” i LDK-së

Nga: Kallxo Më: 26 shtator 2018 Në ora: 13:28
Deputetët e LDK-së

Në maj të vitit të kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, ishte rrëzuar shkaku i mocionit të mosbesimit.

Mocionin e mosbesimit për qeverisjen e LDK-së bashkë me partnerët e koalicionit PDK, Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe, e kishte, iniciuar Nisma Socialdemokrate, e që ky mocion kishte marrë edhe mbështetjen e PDK-së.

Kuvendi i Kosovës e kishte mbështetur me 78 vota për mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë, 34 deputetë kishin votuar kundër dhe 3 kishin abstenuar.

Por, pas zgjedhjeve të reja Kuvendi i Kosovës, LDK-në e gjeti në opozitë.

E si opozitë, LDK-ja vazhdimisht është shprehur “hakmarrëse”, ndaj qeverisjes së udhëhequr nga Ramush Haradinaj duke i bojkotuar seancat, e tash së fundi edhe duke përgatitur mocion për rrëzim të qeverisë.

Grupi Parlamentar i LDK-së, në mbledhjen e fundit më 24 shtator, ka diskutuar mbi idenë e mocionit për rrëzimin e qeverisë.

Agim Veliu, nënkryetar i partisë tha se GP janë pajtuar që  të punojnë drejt vendimit për ta çuar vendin në zgjedhje.

“Është një disponim i mirë i gjithë mekanizmave të LDK-së të punojmë gjithë së bashku drejt rrëzimit të qeverisë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Ta përgatisim një mocion sa më shpejt dhe vendin ta çojmë në zgjedhje. Vendi është në krizë politike e institucionale”, kishte thënë Veliu.

Ndërsa deklaratat e LDK-së për mocion mosbesimi nuk po shihen serioze nga ana e njohësve të kësaj çështje.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Kallxo, se Kuvendi është i bllokuar dhe nuk po ka mundësi që të marrë vendime për shkak se partitë në pushtet nuk kanë votat e nevojshme për ta përmbushur agjendën e tyre.

Sa i përket mocionit të LDK-së, Krasniqi tha se ky mocion më tepër po duket gjuhë e fushatës zgjedhore, sesa përpjekje për rrëzim të qeverisë.

“LDK-ja nuk po me duket shumë serioze për shkak se deklarimet janë tash e sa kohë që LDK është në përpjekje për një mocion. Pa u dorëzuar ky mocion dhe pa u hedh në votim po duket më shumë një gjuhë e fushatës zgjedhore sesa një përpjekje serioze për ta rrëzuar qeverinë”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, mënyra e vetme për të pasur zgjedhje është përmes një votimi të deputetëve me 2/3 e votave për ta shpërndarë Kuvendin me konsensus prej gjitha partive politike ose me mocion nëse ndodhë që një pjesë e koalicionit qeverisës ta përkrah mocionin e opozitës.

Por, sa i përket mocionit Krasniqi nuk është i sigurt që do të mund të bëhen votat e mjaftueshme për rrëzim të qeverisë.

“Mocioni mund të dorëzohet edhe me 40 vota të deputetëve mirëpo nuk po duket që ka edhe përkrahjen prej partive tjera opozitare në radhë të parë. Po e shohim që PSD dhe Alternativa kanë marrë pjesë në seanca të Kuvendit dhe nuk janë të gatshme edhe si parti politike për të shkuar në zgjedhje në këtë kohë për shkak se janë në proces të konsolidimit të tyre të brendshëm dhe shtrirjes nëpër komuna tjera”, shtoi Krasniqi duke thënë se kjo e vështirëson kalimin e suksesshëm të mocionit në Kuvend.

Sipas tij, partitë politike duhet të koordinohen bashkërisht për datën e zgjedhjeve dhe ta votojnë shpërndarjen e Kuvendit.

Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përcakton se mocioni i mosbesimit për Kryeministrin mund të merret me nënshkrimin e 40 deputetëve të Kuvendit.

“Mocioni i mosbesimit, i nënshkruar nga së paku një e treta (1/3), përkatësisht nga 40 deputetë, pranohet kur për të voton shumica e të gjithë deputeteve të Kuvendit. Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës, jo me vonë se pesë (5) ditë dhe jo më herët se dy (2) ditë nga dita e parashtrimit të tij. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje. Ndërkaq, nëse mocioni i mosbesimit dështon, një mocion tjetër i mosbesimit mund të parashtrohet vetëm pas nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Përveç iniciativës së LDK-së për mocion mosbesimi, LDK-ja gjatë këtij mandati kishte tentuar të shkarkojë edhe ministra të Qeverisë Haradinaj, por pa sukses.

Në shtator të vitit të kaluar, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo ishte akuzuar nga banorët e lagjes Dardania në Prishtinë për keqtrajtim ndaj tyre gjatë vitit 1999.

Mocioni i iniciuar nga LDK-ja, më 3 tetor të vitit të kaluar për shkarkimin e ministrit Rikalo nuk mori mbështetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ku 27 deputet kishin votuar pro, 40 kundër dhe një kishte abstenuar.

Kurse interpelanca tjetër ishte për zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Diasporës Dardan Gashi, i cili në një video të publikuar në rrjete sociale, shihej duke shtënë me armë, në një ambient ku merrnin pjesë edhe zyrtarë të tjerë shtetëror.

Me 36 vota për, 49 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi nuk e kishte miratuar mocionin e propozuar nga LDK-ja për ta shkarkuar zëvendëskryeministrin Dardan Gashi.

Kallxo
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test