Na ndiqni

Aktuale

LDK dhe VV bojkotojnë Grupin punues për mbrojtjen e ajrit nga ndotja

Nga: Mediat Shqiptare Më: 25 shtator 2018 Në ora: 16:06
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor

Jo vetëm në seanca por edhe në komisione parlamentare pozita dhe opozita nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Bojkoti i punës së pozitës nga partitë opozitare ka vazhduar edhe në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor e cila u mbajt sot ku u shqyrtuar Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Derisa anëtarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu nga PDK propozoi që të formohet një Grup Punues për hartimin e rekomandimeve për projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, dy deputetë nga opozita- deputetja Besa Gaxherri nga LDK dhe Salih Zyba nga Vetëvendosje kundërshtuan të bëhen pjesë e këtij Grupi si dhe të votojnë për këtë projektligj.

Kjo për shkak të rrethanave politike të ndodhura së fundi për mos thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rezolutën- dialogu me Serbinë.

Gaxherri: LDK nuk bëhet pjesë e këtij Grupi

“Ky ligj është i domosdoshëm, uroj që vërtet çështja e cilësisë së ajrit të ndryshoj për Kosovën, sepse ne kemi lënë një vit mbrapa, dimrin e kaluar kemi pasur shumë probleme me cilësinë e ajrit. Dyshoj shumë që kjo Qeveri ka bërë diçka ose ka përgatitë që këtë vit, ose këtë dimër me pasur ne një cilësi të ajrit më të mirë. Ne u deklaruam shumë qartë, nuk do të jemi pjesë e Komisionit – Grupit Punues, më shumë nuk po dua me dhënë sqarim, Lidhja e Demokratike e Kosovës i ka qëndrimet e veta”, theksoi Gaxherri.

Deputetja Musliu kërkoi që të formohet një Grup punues i cili do ta analizoj nen për nen projektligjin në fjalë, dhe pastaj të procedohet në seancë parlamentare.

Musliu: Nuk jemi për me bllokuar punën

“E respektoj vendimin e tyre, janë në opozitë, dëshirojnë të veprojnë në këtë mënyrë. Unë jam për me qenë bashkëpunëtorë me të gjithë, jam me kontribuar të gjithë, me nxjerrë ligjet më të mira për Kosovën. Është politikë e tyre, qoftë në seancë qoftë në Komision, unë e respektoj vendimin e secilit, sepse nuk jemi ne këtu me ia bërë gjyqin askujt, por as me bllokuar punën për askënd”, theksoi Musliu.

Deputeti i LVV-së, Salih Zyba, tha se nuk janë kundër projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, por tha se kundërshtojnë formën e praktikave punuese në Kuvend.

Zyba: Nuk jemi kundër ligjit, por kundër praktikave të reja

“Ne ishim të qartë kur folëm, po flas edhe për qëndrimin tonë. Nuk ka nevojë me ju bërë avokat i qeverisë ose i mazhorancës e aq më pak i praktikave që nuk janë treguar funksionale. Sepse kjo mbledhje filloi me praktika të reja, çka do që ka risi, ka një kundërpërgjigje. Ne kemi qëndrim dhe do të kontribuojmë, nuk jemi kundër funksionimit të ligjit”, ka thënë Zyba.

Deputeti PSD-së Salih Salihu kërkoi mirëkuptim nga dy partitë opozitare që të bëhen pjesë e Grupit punues. Komisioni me gjashtë vota pro votoi deputetin  Salihu kryesues të Grupit Punues, për anëtarë u votuan  Ganimete Musliu, Muharrem Nitaj, Danush Ademi. 

Anëtarët e tjerë nga LDK dhe VV nuk morën pjesë në votim.

Ndërsa, raportues në këtë komision për këtë projektligj ishin zyrtarë të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ku përfaqësuesja e kësaj Ministrie, Nezafete Hakaj tha se projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja  ka për qëllim që çdo qytetar të jetojë me mjedis dhe ajër të  pastër, dhe se ky projektligj është në harmoni me normat dhe direktivat e BE-së.

Hakaj: Projektligji garanton mjedis me ajër të pastër

“Ky projektligj ka për qëllim të siguroj dhe rregulloj të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis me ajër të pastër, duke mbrojtur shëndetin e njeriut, faunën, florën dhe vlerat natyrore e kulturore në mjedis nga ndotja e ajrit”, theksoi Hakaj.

Komisioni ka shqyrtuar edhe Planin e punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018, mirëpo edhe për këtë pikë pati kundërshti nga partitë opozitare.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test