Na ndiqni

Aktuale

Policët jashtë xhamive, Bashkësia Islame i reagon Rashit Qalajt

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 17:22
Policët e Kosovës

Ideja e drejtorit të ri të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj për t’i larguar policët e Kosovës nga objektet fetare, kishat dhe xhamia është e papranueshme për Bashkësinë Islame të Kosovës. Nga ky institucioni po shihet si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ideja e Qalajt për largimin e policëve nga xhamia.

Ahmet Sadriu nga BIK-u ka deklaruar sot se deklaratën e drejtorit të Policisë së Kosovës nuk e ka marrë seriozisht, thotë se deklarimin e tij më shumë e ka parë në frymën e ndryshimeve pas ardhjes në pozitën e re sesa synim i tij real.

“Mos të hymë në çështje që janë të policisë secili që vjen ka diçka të re, kjo është rregull që të deklarojnë se do të bëjë ndryshime kështu e mora unë personalisht”, ka deklaruar Sadriu.

Ai ka thënë se BIK-u respekton të gjitha ligjet e Kosovës që janë në fuqi dhe si e tillë do të kërkojnë të respektohen të gjitha ligjet, por thotë se një veprim i tillë është shkelje e të drejtave të njeriut prandaj do të jetë e papranueshme.

“Përndryshe këto gjëra janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, me norma të legjislaturës së Kosovës, çka është e lejueshme, ne do të kërkojmë të aplikohet, çka është e ndaluar me ligj dhe me rregullore atëherë nuk do të përzihemi dhe i respektojmë të gjitha këto, shtetin, ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e vendit”.

“Unë personalisht nuk e pranoj këtë, kjo është shkelje direket e drejtave të njeriut, ne si institucion do të reagojmë për shkak se nuk i pranojmë dhe është shkelje e drejtave të njeriut dhe poashtu shkelje e Kushtetutës”, ka deklaruar ai.

Sadriu thotë se një veprim i tillë duhet të ngritë reagime edhe tek shoqëria civile, për shkak se sipas tij është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Potencon se falja e namazit është kusht për besimtarët mysliman, teksa ka sqaruar se feja parasheh që organet e sigurisë nuk e rrezikojnë askënd për të kryer këtë obligim fetar.

“Këtu në Kosovë është kjo çështje është futur në të kapitullin e të drejtave të njeriut, tash nëse e marrim këtë kjo është pikërisht shkelje e të drejtave të njeriut dhe duhet të reagojnë edhe shoqëria civile edhe të gjithë për shkak se është një shkelje flagrante, ndërsa për besimtarin mysliman normalisht që është obligative falja e namazit, por në rrethana të caktuara feja e parasheh që nuk guxojnë të rrezikohet jeta dhe këtu hyjnë shumë gjëra”, ka deklaruar Sadriu.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme në një intervistë, drejtori i ri i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar se dëshiron të sjellë rregull në Policinë e Kosovës. Ka thënë se dëshiron t’i largoj policët nga objektet fetare.

Ai po ashtu ka deklaruar se nuk ka rregull që e ndalon shkuarjen në objekte fetare për lutje gjatë orarit të punës, megjithatë kjo sipas Qalajt nuk është e dëshirueshme, pasi nuk mund të jenë plotësisht në krye të detyrës.

Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test