Na ndiqni

Aktuale

Vetëvendosje në pritje të LDK-së për protesta – tregon veprimet e sotme në kuvend

Nga: Insajderi Më: 5 shtator 2018 Në ora: 13:00
Deputetët e VV-së

Lëvizja Vetëvendosje po pret reflektim nga strukturat e larta të LDK-së, duke synuar organizimin e protestave sa më shpejt që është e mundur. Parandalimi i Thaçit që të shkojë në dialog me Serbinë dhe organizimi i zgjedhjeve të reja do të jenë kërkesat kryesore të partisë së Albin Kurtit në protestat që po i paralajmërojnë se do të organizohen shumë shpejt.

Bllokimi i punës së Kuvendit dhe një ekzekutiv pa numra të mjaftueshëm, sipas deputetes së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci janë arsye të mjaftueshme që qytetarët të mobilizohen për protesta.

Nagavci ka thënë se me një mobilizim qytetar do t’i pamundësohet presidentit të vendit udhëheqja e dialogut, dhe gjithashtu organizimi i zgjedhjeve të reja.

Ajo i ka bërë thirrje edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të reflektojë, dhe t’i bashkohet Vetëvendosjes në këto organizime.

“Mobilizimi qytetar pra është i domosdoshëm dhe duhet të ketë bashkërendim të aktiviteteve me opozitën. Qoftë protesta apo veprime në Kuvend me të gjitha format demokratike që të pamundësohet pjesëmarrja e Thaçit në dialog dhe në anën tjetër të kemi zgjedhje të reja. Është një gjë shumë e mirë që tashmë edhe LDK-ja e ka kuptuar që qëndrimet e VV-së për protesta janë ato të duhurat dhe presim sa më shumë zëra dhe të strukturave të larta të LDK-së që janë pro protestave, dhe të reflektojnë për veprimet e tyre të deritanishme”, ka thënë deputetja e VV-së.

Nagavci qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj e ka cilësuar si “zhvatëse”, kurse për presidentin Thaçi ka theksuar se e shikon vetëm interesin e tij.

Edhe për Kuvendin ka thënë se për momentin është jofunksional, pasi pozita nuk i ka numrat për të qeverisur.

“Gjithsesi tash është e qartë që situatën në të cilën gjendemi ku legjislativi është jofunksional dhe shumë shpesh Kuvendi po bllokohet, e në anën tjetër një ekzekutiv që është zhvatës dhe nuk mendon për interesat e vendit. Pastaj presidenti person i cili në radhë të parë ka interesin e vet, këto janë arsye që është e domosdoshme të ketë moblizim të qytetarëve, të ketë ndryshime dhe gjegjësisht të ketë zgjedhje të reja që do të prodhonin qeveri dhe legjislativ më kompetent”, deklaroi Arbërie Nagavci.

VV-ja pret që të dështojë ekipi i qeverisë për dialog, dhe të miratohet rezoluta e opozitës

Deputetja e Vetëvendosjes po shprehet optimiste se pozita nuk i ka numrat në Kuvend që ta miratojë ekipin negociator për dialog me Serbinë.

Kurse në anën tjetër është e bindur që rezoluta e opozitës kundër korrigjimit të kufijve do të miratohet nga deputetët.

“Sigurisht ne presim që vendimi i qeverisë të mos kalojë, është parë qartë se ata nuk i kanë numrat edhe shtyrja e seancës dhe zgjatja e saj deri në orët e vona është rezultat i mungesës së numrave. Shpresojmë që ai vendim i qeverisë të mos kalojë, në anën tjetër gjithsesi se do ta mbajmë seancën tonë që është thirrur në mënyrë të rregullt me 40 nënshkrime, dhe është e sigurt se kryesuesi duhet të thirr seancën dhe të mundësojë mbajtjen e saj. Presim që të aprovohet rezoluta e jonë”, deklaroi deputetja Nagavci.

Vetëvendosje ka parë një zmbrapsje të AAK-së dhe Nismës për përkrahjen e kësaj rezolute, sidomos pas formimit të ekipit negociator.

Sipas Nagavcit rezoluta e opozitës veç që do të konfirmonte se territori nuk mund të negociohet, ajo do t’ia pamundësonte Thaçit udhëheqjen e dialogut.

“Rezoluta që ne kemi përgatitur synon që të konfirmojë se integriteti i territorit është i panegocioushëm dhe në anën tjetër synon që t’ia pamundësojë që Thaçit të vazhdojë me dialogun, dhe jo vetëm  të merret me temën e kufijve, por ai nuk duhet fare të vazhdojë të udhëheq pasi s’ka mandat dhe nuk është njeri kompetent”, ka përfunduar Arbërie Nagavci.

Seanca e thirrur nga qeveria për votimin e ekipit negociator është shtyrë për sot në orën 14:00.

Partitë opozitare edhe sot pritet ta bojkotojnë këtë seancë, kurse ende nuk dihet nëse pushteti i ka siguruar votat për ta miratuar ekipin.

Menjëherë pas përfundimit të seancës të thirrur nga kryeministri Haradinaj, pritet të mbahet ajo e opozitës ku do të kundërshtohet korrigjimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test