Na ndiqni

Aktuale

Arben Gashi: Për idenë e Vjosa Osmanit për protestë kundër Thaçit vendos LDK-ja

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 16:07
LDK

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se për idenë e bashkëpartiakes së tij, Vjosa Osmanit, për protestë masive kundër presidentit Hashim Thaçi, më 7 shtator, vendosin organet e LDK-së

Në një prononcim për media, Gashi ka thënë se një ide e tillë do të diskutohet brenda partisë, dhe më pas do të vendoset rruga që do të ndiqet.

“Nuk është ndonjë nismë. Është propozim. Ajo duhet të diskutohet në parti dhe të merret vendim. Është një propozim që do të diskutohet në forume të partisë, pastaj vendos partia se çfarë drejtimi merr kjo punë”, ka thënë deputeti Gashi.

Kurse sa i përket insistimit të Thaçit për idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes ndërmjet dyja vendeve, Gashi thotë se për këtë vlen qëndrimi i partisë.

“Është qëndrimi i LDK-së dhe grupit parlamentar që do diskutohet më datën 4 në Kuvend”, është shprehur Gashi.

Këtë refuzim të LDK-së, për të marrë qëndrim karshi një ideje të tillë për protestë kundër Thaçit, analisti politik, Ramush Tahiri e sheh si diçka normale.

“ Gjëra të tilla diskutohen në forumin e partisë. LDK-ja ashtu funksionon. Nuk është problemi tek propozimi i zonjës Osmani”, ka thënë Tahiri.

Lidhur me propozimin e Osmanit për protestë kishin folur edhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, dhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, të cilët nuk ishin shprehur pro qëndrimit të Osmanit për protestën kundër Thaçit.

Rugova kishte thënë se ajo nuk përfaqëson qëndrimin e LDK-së.

“Kryesia dhe kryetari Isa Mustafa i marrin vendimet se a dalim në protestë a jo” kishte deklaruar Rugova.

Njëjtë edhe Avdullah Hoti idenë e deputetes Osmani e ka quajtur si personale, dhe se për këto çështje vendime merr kryesia e LDK-së.

Duke parë këto reagime, Osmani kishte thënë se është e vetëdijshme që një gjë e tillë paraqet qëndrim personal, por thotë se ‘sovrani duhet t’ia tregojë vendin Hashim Thaçit’.

Ndryshe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se qytetarët duhet të dalin në një protestë masive kundër Thaçit me 7 shtator, ditë kjo kur i pari i vendit do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Në këtë takim pritet që të dy liderët të dalin me një marrëveshje, marrëveshje e cila sipas komisionerit Johanes Hahn nuk duhet të cenoj stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test