Na ndiqni

Aktuale

Deputetët diskutojnë për kartonin e gjelbër

Nga: Mediat Shqiptare Më: 4 qershor 2018 Në ora: 14:18
Kuvendi i Kosovës

Interesat financiare janë shkak i moszgjidhjes së problemit të kartonit të gjelbër që edhe Kosova të jetë pjesë e saj, në mënyrë që mërgimtarët mos të paguajnë shuma marramendëse kur të vijnë në Kosovë.

Kështu u tha gjatë debatit për kartonin e gjelbër, të iniciuar nga deputeti i PSD-së, Faton Topalli, i cili drejtoi kritika të shumta në adresë të institucioneve për mos angazhim për të zgjidhur këtë problem 20 vjeçar.

Sipas tij, janë dhënë miliona euro nga mërgimtarët, por edhe qytetarët e Kosovës që udhëtojnë jashtë vendit për të paguar polisat kufitare, si pasojë e mungesës së kartonit të gjelbër.

Topalli: Për polisat kufitare u paguan 200 milionë euro nga përfundimi i luftës

(Video)

“Kjo ka për pasoj që qytetarët e Kosovës janë të detyruar të paguajnë shuma të larta të sigurimit për kohë të caktuar sa herë udhëtojnë jashtë vendit. Qindra e mijëra mërgimtarë edhe pse paguajnë polisat e sigurimit në vende prej të vilave vijnë kur hyjnë në Kosovë janë të detyruar që të paguajnë për të njëjtat çështje edhe një herë. Shuma e paguar për polisat kufitare prej përfundimit të luftës e deri me sot arrijnë shifrën rreth 200 milionë euro, ndërsa shpenzimet e bëra për dëmet e shkaktuara rreth 10 për qind, pra gjithsejte 20 milionë euro. Mendoj që nuk është trajtim dinjitoz i atyre që sjellin remitenca gati sa gjysma e buxhetit të shtetit të Kosovës”, tha Topalli.  

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur krejtësisht absurde që njëzet vjet pas lufte ende nuk është zgjidhur kjo çështje.

Abdixhiku: Interesat financiare po e pengojnë kartonin e gjelbër

(Video)

“Mbi të gjitha e konsiderojmë krejtësisht të turpshme që diaspora jonë është e detyruar të paguaj dhjetëra miliona euro sa herë që vjen këndej. Natyrisht se në thelb të këtij paradoksi mund të gjenden arsye të shumta por për bindjen tonë interesat financiare janë kryesore. Sa për njoftim unë po iu prezantoj një hulumtim parlamentar prezantuar këtij Kuvendi në legjislaturën e kaluar dhe në të citohen të dhënat e BQK-së mbi polisën kufitare. Dhe për vitet 2001-2015, për 15 vite e shkuara diaspora i janë shitur 131 milionë euro polisa kufitare. Për këto 15 vjet i janë marrë diasporës 131 milionë euro dhe dëmet e paguara për këto polisa kanë qenë vetëm 11 milionë euro. Pra ka një diferenë prej 120 milionë eurove dhe për këto 15 vjet fitim i bërë mbi paratë e diasporës dhe mbi këto interesa, 120 milionësh, pra nga 8 milionë në vit qëndron edhe arsyeja e mos zgjidhjes së problemit në fjalë”, theksoi Abdixhiku .

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, theksoi se kësaj çështje duhet t’i vije fundi sepse janë bërë shumë që diaspora paguan shuma të mëdha parash për polisat kufitare, si pasojë e mos qenit anëtar i kartonit të gjelbër. Ajo pati ankesa në ministrin për prezencën e tij në seancë.

Hadërgjonaj: Ministri është dashur të ishte këtu të na sqaronte çka ka bërë

“Nga dita e 16 majit kur ne kemi debatuar dhe kemi ngarkuar me punë MPB-në për të zgjidhur problemin e makinave të paregjistruara, sepse edhe po t’i kishim mundësitë nesër të ishim pjesë e kartonit të gjelbër ne nuk do të na jepnin këtë mundësi pikërisht për shkak të problemeve që s’i kemi zgjidhur brenda vendit. Prandaj ministri është dashur të ishte këtu dhe të raportoj kohë pas kohe në komisionin për buxhet por edhe në kuvend se çka ka bërë për ta zgjidhur këtë problem”, theksoi ajo.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se duhet ditur ku shkojnë këto para.

Haradinaj: Duhet ta dimë se ku po shkojnë gjithë ato mjete

“U fol që duhet të marrim një shtet të dytë ose tretë që do të pranonte Kosovën si anëtare të kartonit të gjelbër, nuk ka nevojë me mashtru askënd se gjithë e dimë se derisa kemi 61 mijë automjete deri në 63 mijë automjetet të paregjistruara, kjo punë vështirë që bëhet. Nëse flasim për të hyrat u tha që kemi për 15 vite i kemi 131 milionë, ndërsa, dalje vetëm 11 milionë e kjo është shumë shqetësuese po i bie që 120 milionë nuk dihet se ku janë. Pajtohem me Islam Pacollin që tha se ku po shkojnë këto mjete. Ne duhet ta dimë se ku po shkojnë këto mjete. A mendoni që vetëm mërgimtarët trajtohen keq, jo, të gjithë trajtohen keq. Edhe në hyrje të Malit të Zi, edhe me Kosovën ka një tendencë të bëhet një sistem elektronik të aplikimin për kartonin e gjelbër”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, kërkoi të dijë se ku kanë mbetur milionat tjerë që nuk po deklarohen.

Pacolli: Ku përfundon buxheti i mbledhur nga polisat

“Me të vërtetë unë e ndjej më së miri sepse vazhdimisht e paguaj këtë taksë të dyfishtë edhe pse e kam kartonin e gjelbër të BE, prapë duhet të paguar kur vijë në Kosovë. Kjo është e padrejtë, tepër e padrejtë. Do të ishte mirë që nëse nuk ka mundësi fare të tërhiqet të jetë simbolike. Unë mendoj që gjithë ai buxhet që mblidhet ku përfundon dhe kujt i shërben. Diaspora vazhdimisht ka kontribouar për Kosovën, por asnjëherë nuk është shpërblyer. Deri kur do të mbetet kjo çështje kështu. Nuk e di çfarë zgjidhje teknike apo juridike mund të zgjidhet, por unë kërkoj që kjo çështje të trajtohet seriozisht.

Bilall Sherifi nga Nisma ka propozuar që veturave të paregjistruara t’u merren targat.

“Kemi një numër të madh të veturave të paregjistruara. A di dikush të më tregojë si nxjerret kjo statistikë. Çdo veturë që del në komunikacion nuk do të thotë që janë të paregjistruara të gjitha. Duhet të bëhet një praktikë që në momentin kur nuk regjistrohet një veturë të ju merren targat si në vende të tjera të Evropës e jo të mbajnë ato targa edhe pa regjistruar veturën”, ka shkruar ai.

Për t’u miratuar rezoluta e propozuar nga deputeti Topalli, mbeti pas të harmonizohet mes grupeve parlamentare.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test