Na ndiqni

Aktuale

Hoti: Duhet unifikim i faktorit politik për dialogun

Nga: Indeksonline Më: 3 qershor 2018 Në ora: 17:03
Rexhep Hoti

Emri i Hashim Thaçit si udhëheqës i fazës finale të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngjallur reagime të shumta në skenën politike në vend. Njëra prej partive e cila bashkë qeverisë me PDK-në, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt është shprehur hapur kundër, ndërsa pozicionimi i LDK-së për këtë çështje do të dihet vetëm nesër kur do të votohet në Kuvend platforma e propozuar nga Qeveria, në bazë të të cilës Thaçi do të udhëheq bisedimet me Serbinë.

Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, në një prononcim për media, ka thënë se duhet të ketë një unifikim të plotë edhe të partive politike të cilat përfaqësojnë qytetarët në Kuvend, por gjithashtu edhe të shoqërisë civile madje edhe te komunitetit fetar.

“Ne jemi në një çështje shumë të ndjeshme të politikës në përgjithësi, kur ajo duhet të jetë e unifikuar më shumë se kurrë, dhe duhet të ketë një qëndrim të vetëm sa i përket Serbisë dhe dialogut.Përmbyllja e bisedimeve me Serbinë, në kuptimin formal, aktualisht i jep kompetencë presidentit, që ta kryej mandatin për të cilin e kanë votuar edhe një pjesë e opozitës. Me Serbinë jo vetëm partitë që janë brenda parlamentit duhet ta kenë një qëndrim, por mendoj që edhe partitë që nuk janë të përfaqësuara në parlament duhet ta kenë qëndrimin e njëjtë, shoqëria civile, dhe gjithashtu edhe komuniteti fetar. Një normalizim me Serbinë, duhet ta ketë fjalën e fundit të popullit të Kosovës në përgjithësi. Dhe kjo është çështje shumë e rëndësishme”, ka thënë Hoti.

Megjithatë sipas tij, fjala e fundit do të thuhet nesër në Kuvend.

“Në anën tjetër është aspekti tjetër i ndryshimeve skematike politike të cilat kërkojnë dhe imponojnë edhe rol tjetër në atë se kush do të jetë dhe si do të jetë. Mirëpo për pjesën e dytë që po flas, kjo çështje do të dihet pas një votimi në parlament, dhe aty me automatizëm përcaktohet se kush është ky institucion dhe përfaqësuesi i atij institucioni përkatës, nëse është legjitim apo jo”, ka thënë ai.

Hoti thotë se duhet mësuar që t’i besohet dikujt, dhe në bisedime të mos shkojnë dhjetëra njerëz.

“Uroj që ne si klasë politike dhe të tjerët, ata ku janë që në përgjithësi ta gjejmë një gjuhë të përbashkët. Më në fund në duhet të mësohemi t’i besojmë dikujt, dhe mos t’i dërgojmë atje dhjetëra njerëz , por ne mund t’i besojmë dikujt, dhe ai ‘dikujt’, duhet ta krijojë një mekanizëm kontrollues për atë se çfarë bën dhe për atë çfarë nënshkruan, dhe për atë se çfarë nënshkruan”, ka deklaruar Hoti.

I pyetur nga mediat, nëse pret që edhe LDK-ja t’ia jap besimin Thaçit nesër në Kuvend për të udhëhequr fazën finale të dialogut me Serbinë, Hoti ka thënë që LDK-ja gjithmonë ka qenë parti konstruktive në çështjet jetike për vendin, dhe edhe nesër nuk pret që të tregohet ndryshe.

‘Besoj që LDK-ja do të marr qëndrimin e saj konstruktiv. Lidhja Demokratike e Kosovës historikisht ka pasur qëndrime konstruktive në proceset kapitale të vendit, dhe nuk pres që ajo të ketë ndonjë ndryshim. Unë pres që LDK-ja ta mbështesë fjalën unifikuese të Kuvendit të Kosovës dhe popullit të Kosovës”, ka përfunduar Hoti.

Nesër pritet që në Kuvendin e Kosovës të diskutohet për platformën e dialogut me Serbinë, të cilën në legjislativ e ka proceduar qeveria. Sipas kësaj platforme udhëheqës i fazës finale të bisedimeve do të jetë presidenti Thaçi. “Kuvendi i Republikës së Kosovës konfirmon që Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Delegacioni i Kosovës që do të krijohet në koordinimin me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend, janë të autorizuar të zhvillojnë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme”, thuhet në platformën që do të diskutohet nesër në Kuvend.

Indeksonline
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test