Na ndiqni

Aktuale

Haradinaj s’mban premtimin, asnjë banor i Shipitullës nuk u punësua në KEK

Nga: KTV Më: 10 maj 2018 Në ora: 21:42
Ramush Haradinaj

Në kohën kur Kosova rrezikohej nga kolapsi energjetik, kryeministri Ramush Haradinaj, kishte lidhur marrëveshje me banorët e Shipitullës për punësim në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Por, edhe pasi kanë kaluar afër tetë muaj, kjo marrëveshje ka mbetur vetëm në letër, pasi që kryeministri nuk po e zbaton atë.

Asnjë banor i këtij fshati ende nuk është punësuar në KEK, pavarësisht premtimit të Haradinajt, se do të ketë vend pune për nga një anëtar të secilës familje.

Zbatimin e kësaj marrëveshjeje po e kërkojnë të rinjtë, emrat e të cilëve janë në listë të pritjes për punësim, që është në zyrat e Qeverisë.

Më të shqetësuarit janë të zhvendosurit, të cilët thonë se tokat ku kanë kultivuar kultura të ndryshme bujqësore, tashmë janë shpronësuar, duke mbetur edhe pa atë punë.

Përmes asaj marrëveshjeje parashihej që procesi i punësimit të bëhet në faza të ndara.

Në fazën e parë ishte paraparë që të punësoheshin 100 persona, për të vazhduar pastaj edhe me fazat e tjera.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, të cilin banorët e lënë fajtor, bashkë me kryeministrin, thotë se si komunë ka qenë vetëm në rolin e ndërmjetësuesit.

Gashi, që gjithashtu është anëtar i AAK-së, thotë se ka dërguar shkresa në Qeveri për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka thënë se janë disa faza që duhet të respektohen, duke shtuar se procesi nuk mund të kryhet brenda javës apo muajit.

Sidoqoftë, në fund të vitit të kaluar, pasi ishte arritur kjo marrëveshje, KEK-u kishte shpallur vende të lira të punës.

Aty nuk arriti të punësohej asnjë banor, pasi që për bazë ishte marrë Ligji për Obiliqin dhe ishin punësuar kandidatë të tjerë.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test