Na ndiqni

Aktuale

“S’bëhemi pjesë e qeverisë edhe nëse s’kthehet Lista Serbe, vendit i duhen zgjedhje të reja”

Nga: Indeksonline Më: 22 prill 2018 Në ora: 22:35
Qeveria e Kosovës

Që nga e hëna e 26 marsit, Lista Serbe ka braktisur Qeverinë e Kosovës, kështu duke ndërruar madje edhe ulëset në Kuvendin e Kosovës, duke kaluar tek opozita apo saktësisht në afërsi të deputetëve të LDK-së.

Përfaqësuesit e Listës Serbe vendosën që të largoheshin nga Qeveria Haradinaj pas arrestimit që iu bë drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq në veri të Kosovës.

Pas largimit Lista Serbe lidhën kthimin e tyre edhe me krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Por për largimin e tyre, kryeministri Ramush Haradinaj pati deklaruar se është e pakuptueshme dalja nga ekzekutivi për shkak të një aksioni i cili ishte mbështetur në ligj.

Ndryshe në disa përgjigje për Indeksonline të dhëna në disa raste nga Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës është thënë se pritet që Haradinaj të takohet me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të finalizohet qëndrimi dhe roli i tyre në qeveri.

Indeksonline ka kontaktuar me deputet të opozitës në Kuvendin e Kosovës lidhur me mundësinë që t’i bashkohen koalicionit qeverisës në rast të mos-kthimit në funksion të Listës Serbe.

Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë janë zgjedhjet e reja.

“LDK, zgjidhje të vetme për dalje nga kjo situatë e sheh me zgjedhjet ë reja, qoftë me një marrëveshje paraprake me subjektet tjera politike opozitare dhe opozitare, me caktimin e një date për zgjedhje, ose me mocion mosbesimi ndaj qeverisë”, ka thënë Beqiri.

Beqiri ka shtuar se nuk bëhen pjesë e qeverisë aktuale.

“Nuk bëhemi pjesë e qeverisë aktuale, pjesë dhe udhëheqës të qeverisë, do të jemi pas zgjedhjeve të reja”, ka shtuar Beqiri.

Njëkohësisht deputeti i Lëvizjes  Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se Kosovës i nevojiten ndryshime dhe se sipas tij ndryshimi demokratik bëhet kur opozita e deritanishme bëhet qeveri nga zgjedhjet e reja.

“Kosovës i nevojiten ndryshimet. Ndryshimi demokratik bëhet kur opozita e deritanishme bëhet qeveri nga zgjedhjet e reja”, ka thënë Aliu.

Ai gjithashtu ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje tashmë është përcaktuar për zgjedhje të reja.

“Vullneti që qytetarët kanë shprehur me votë në qershorin e 2017 nuk pasqyrohet te kjo qeveri. Kushtet tona për bashkëpunim dihen, ato janë programore, dhe kanë të bëjnë me largimin e personave të dyshuar për korrupsion apo krime nga qeveria, por këto kushte vijnë në shprehje vetëm për koalicione parazgjedhore apo paszgjedhore, e jo për të mbajtur në pushtet një qeveri në mes të mandatit të saj,e cila qeveri tashmë i ka bërë shumë dëme vendit me punën e mospunën e saj”, ka përfunduar Aliu.

Ndryshe ditë më parë përfaqësuesi i Listës Serbe, Igor Simiq ka deklaruar se nuk do të kthehen në Qeverinë e Kosovës.

Për largimin e Listës Serbe i ashpër ishte treguar edhe i pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.Ai pati deklaruar se nuk bëhet kiameti nëse është larguar Lista Serbe.

Indeksonline
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test