Na ndiqni

Aktuale

Kur Arbër Vllahiu e raportoi vrasjen e Enver Haradinajt në vitin 2005

Më: 15 prill 2018 Në ora: 12:09
Arbër Vllahiu dhe Ramush Haradinaj

Vrasja e Enver Haradinajt në vitin 2005 ishte raportuar edhe nga BBC.

Arbër Vllahiu, zyrtar në AAK, në atë kohë ishte gazetar në BBC dhe kishte raportuar për detajet e vrasjes.

Më poshtë po u sjellim shkrimin e plotë të Vllahiut shkruar për BBC seksioni në shqip.

Vritet vëllai i ish-kryeministrit Haradinaj

Zyrtarë të policisë në Kosovë kanë bërë me dije se nga të shtënat me armë zjarri nga persona të panjohur për momentin është vrarë Enver Haradinaj, vëllai i ish-kryeminstrit kosovar, Ramush Haradinaj.

Autoritetet ndërkombëtare nuk kanë bërë të ditur asnjë hollësi të incidentit dhe as motivet e vrasjes.

Vrasja e Enver Haradinajt, ndodhi të premten pasdite rreth orës 14.55 minuta, në afërsi të fshatit Raushiq, në magjistralen Pejë Deçan, 90 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Komisioneri i policisë ndërkombëtare Kai Vittrup tha se persona të panjohur kanë shtënë në drejtim të makinës së Enver Haradinajt, së bashku me të cilin ndodhej edhe një person i dytë.

"Enver Haradinaj u transportua në spitalin e Pejës nga pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në një gjendje të rëndë shëndetësore."

"Ai vdiq nga plagët e mara rreth orës 1500. Bashkëudhëtari i tij nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe ai po merret në pyetje nga policia," tha zoti Vittrup duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që dijnë më shumë për rastin të njoftojnë policinë.

Vrasja e vëllait të ish-kryeministrit të Kosovës, ka nxitur një takim urgjent të autoriteteve më të larta ndërkombëtare në Kosovë me kryeministrin Kosumi dhe një pjesë të qeverisë së tij.

Zëvendëskryeadmnistratori i Kosovës, Larry Rosin ka bërë me dije se është arritur pajtueshmëria me zyratrët e lartë qeveritar të Kosovës që të ndërmerren të gjitha hapat për identifikimin dhe arrestimin e vrasësve të Enver Haradinajt.

“Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që përballë këtij krimi të demonstrojnë, qetësi, pjekuri dhe respect për rendin dhe ligjin që e ka karakterizuar Kosovën gjatë sfidave të rënda në muajin e kaluar."

"Është kjo sjellje, më shumë se çdo gjë tjetër, që do të ndihmojë zgjidhjen e këtij krimi dhe njëkohësisht do të sigurojë se Kosova është në rrugën e saj drejtë një të ardhme më të mirë, të cilën të gjithë ne e duam," tha Larry Rosin.

Duke iu bashkuar ngushëllimeve të zotit Rosin për familjen Haradinaj, komandanti i KFOR-it, gjenerali Yves de Kermabon, ka deklaruar se dhuna nuk mund ta drejotjë Kosovën.

"Kjo ngjarje është një shenjë e papranueshme e dhunës që mund të rritet në Kosovë. Tundimi nuk është një rrugë që duhet ndjekur. KFOR-i e dënon fuqishëm këtë sulm, por ai mbështet plotësisht policinë ndërkombëtare dhe Policinë e Kosovës dhe ne punojmë së bashku."

"KFOR-i posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe ka mundësi që të ndërmarrë të gjitha masat adekuate për të vendosur rendin dhe ligjin," tha komandanti i KFOR-it, Yves de Kermabon, duke shtuar se mission i forcës paqeruajtëse në Kosovë është vendosja e një mjedisi të sigurt.

Policia ndërkombëtare ndërkohë ka theksuar se ka vënë në dispozicion të gjitha resurset e saj hetimore për të zbardhur rastin e vrasjes së Enver Haradinajt.

Nuk dihen as motivet dhe as vrasësit e vëllait të ish-kryeminstrit kosovar.

Familja Haradinaj ndërkaq është njëra ndër familjet më të njohura në Kosovë në periudhën e luftës.

Dy vëllezërit e Ramush Haradinajt janë vrarë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, dhe vrasja e sotme shënon viktimën e tretë për këtë familje.

Një vëlla tjetër i zotit Haradinaj është dënuar me pesë vjet burg nga një gjykatë në Prishtinë për, sic thuhet, krime të kryera gjatë periudhës së konfliktit të armatosur.

Ndërsa vetë Ramush Haradinaj një muaj më parë i është dorëzuar Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test