Na ndiqni

Aktuale

Haliti: Qeveria mund të bie, por kemi shpresa në LDK-në

Nga: Periskopi Më: 27 mars 2018 Në ora: 20:08
Xhavit Haliti

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe njëherit edhe një nga figurat kryesore të Partisë Demokratikte të Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim e ka cilësuar si shantazh paralajmërimin e Listës Serbe për dalje nga Qeveria Haradinaj.

Megjithatë sipas tij, nëse ndodh një gjë e tillë zyrtarisht, dhe nuk arrihet më pas të sigurohet shumica për funksionimin e Qeverisë, atëherë Qeveria Haradinaj bie.

“Nuk kam dëgjuar ndonjë informacion të saktë që ka dalë, sepse ata duhet të njoftojnë zyrtarisht organet. Unë po besoj që është një shantazh, përpjekje për shantazh të radhës. Por sidoqoftë nëse ata dalin, atëherë duhet me e siguru shumicën e nevojshme në parlament, për me funksionu qeveria. Nëse nuk e kemi shumicën e nevojshme, atëherë qeveria bjen. Këto janë rregullat e Demokracisë”, ka deklaruar Haliti.

Gatishmërinë e LDK-së për mos lejim të rënies së Qeverisë si pasojë e Listës Serbe, Haliti  e ka cilësuar si një veprim të një subjekti të përgjegjshëm.

“Po unë e vlerësoj si përgjegjësi do të thoja, ose si ta quaj, një subjekt i përgjegjshëm, për situatën që ka Kosova, nuk do të lejonte një situatë anarkike që të ndodhë në Kosovë, dhe LDK-ja por edhe partitë tjera, nuk besoj që do të lejojnë një anarki që mund të ndodh, me zgjedhje të jashtëzakonshme, me situata të pa pritura , me pamundësi të funksionimit të Qeverisë. Prapë po them Lista Serbe do të përpiqet të luaj një lojë të paramenduar, me qëllim që të realizojë kërkesat që i ka” ka thënë Haliti.

I pyetur nëse kërkesa të tilla të Listës Serbe dirigjohen nga Beogradi,Haliti ka thënë se ”ata deri sot nuk kanë bërë asgjë pa Beogradin”.

Ndërkohë e ka cilësuar si teprim mënyrën e sjelljes së Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës në Prishtinë.

“Mu më është dukur teprim, ajo mënyra se si është sjellë në Prishtinë. Mendoj se kanë mund me e marr në pyetje në stacionin e Policisë në Mitrovicën e Veriut, edhe me e kthy në kufi, e me e dërgu në gjykatë për kundërvajtje, sepse ajo vepra e tij është për kundërvajtje. Nuk po dua të komentoj ngjarjet, por më mirë që nuk është mbajt e që nuk ka dalë para gjyqit”, ka përfunduar Haliti për Periskopin.

Arrestimi i Marko Gjuriqit gjatë ditës së djeshme në veriun e Mitrovicës nga Policia e Kosovës ka nxitur edhe veprimet e Listës Serbe të cilët kanë kërcënuar me dalje nga Qeveria Haradinaj.

Për këtë , Haradinaj ka thënë se nuk do të jap dorëheqje pavarësisht se kush hynë e kush del nga Qeveria, dhe është shprehur i hapur për partitë të cilat janë të gatshme për bashkëpunim.

Periskopi
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test