Na ndiqni

Aktuale

“A do ta shpëtojë LDK-ja Kosovën?” – Kjo është përgjigja e Lutfi Hazirit

Nga: Periskopi Më: 27 mars 2018 Në ora: 18:04
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se dalja e Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj nuk është ndonjë zhvillim i jashtëzakonshëm, pasi sipas tij ata kanë refuzuar që të marrin pjesë në procese edhe gjatë kohës sa ishin pjesë e qeverisjes.

Në një prononcim, Haziri ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në vend, do të veprojë me përgjegjësi karshi situatës së re politike të krijuar.

“Komunikata e lëshuar sot e përmbledh frymën tonë. Për ne kurrgjë e jashtëzakonshme nuk është dalja e Listës Serbe nga Qeveria, sepse ata edhe me prezencën e tyre kanë refuzuar me marrë pjesë ne procese, sikur që ishte çështja e Demarkacionit, nuk kanë votuar, kanë abstenua. Ngjarja e djeshme i ka nxjerrë në një pozitë të re politike, dhe kjo është faktua sot nga përfaqësuesi i tyre politik. Ne kemi konsistencë politike, jemi partia më e madhe dhe jemi përgjegjës karshi situatës. Jemi partia më e madhe në Kosovë dhe nuk ka tjetër frymë”, ka thënë Haziri në një bisedë telefonike për Periskopin.

I pyetur nëse Lidhja Demokratike e Kosovës do të futet në koalicion për ta shpëtuar Kosovën, Haziri ka thënë se në të ardhmen e afërme do të merret vesh gjithçka.

“ Normalisht ne jemi gardian politik të krejt proceseve politike, koha do ta zbardh krejt të ardhmen e afërme edhe të këtij koalicioni qeverisës edhe të Kosovës. Situata është jashtëzakonisht e nxehtë, dhe duhet me qenë të përgjegjshëm karshi kësaj situate”, është shprehur Haziri.

Sa i përket ngjarjes së djeshme ku u arrestua Marko Gjuriq nga Policia e Kosovës në Mitrovicë, Haziri mendon se ai akt ishte fundi i një tolerance të Kosovës karshi provokimeve të Serbisë.

“Më në fund Policia e Shtetit u lirua me e zbatu Ligjin. Zbatimi i Ligjit dhe mos tolerance karshi shkeljes se ligjeve të Kosovës, ka ardhur pas një tolerance jashtëzakonisht të madhe të partive që janë në pushtet, karshi Beogradit. Edhe tolerancë politike, edhe kompromise të dhimbshme politike që janë tolerua”, ka thënë Haziri për Periskopin.

Haziri  thotë se Lista Serbe janë sjellë në një mënyrë të pa përgjegjshme, dhe janë sjellë karshi shtetit të Kosovës si një armik.

E përgjegjësinë për situatën aktuale, pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria, Haziri thotë që e kanë partitë të cilat janë në pushtet.

“Fragjilitetin e stabilitetit të Qeverisë nuk e kanë në shpatulla Lista Serbe, por partitë që janë në Qeverisje, sepse ata kanë bërë të koalicion me vetëdije të plotë. Janë të gjitha partitë politike, përvec LDK-së dhe Vetëvendosjes në atë grupim, dhe ky është rezultati. Nuk ka numra për të vazhduar punën normalisht nesër”, ka përfunduar Haziri për Periskopin.

Dalja e Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj është nxitur dje pas arrestimit të Marko Gjuriqit si pasojë e hyrjes ilegale të tij brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa kryeministri Haradinaj gjatë ditës së sotme ka thënë se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje, pavarësisht se kush del e kush hynë në Qeveri.

Periskopi
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test