Na ndiqni

Aktuale

24 marsi, Albin Kurti kujton anëtarin e vrarë të kryesisë së LDK-së

Më: 24 mars 2018 Në ora: 23:38
Albin Kurti

19 vjet më parë, aeroplanët e NATO-s sulmuan caqet e forcave serbe në Jugosllavinë e Milosheviqit. Besoj se bombardimet e NATO-s kishin tri shkaqe kryesore kur filluan:

1) Që të mos përsëritej Bosnja në Kosovë. Masakra e Reçakut e 15 janarit 1999 po tregonte se një Srebrenicë e re ishte bërë fort e gjasshme në Kosovë - kjo duhej parandaluar.

2) Që të mos përsëritej Kosova në Maqedoni. Zgjerimi i konfliktit në kushtet kur as nuk zgjidhet as nuk ndalet ai është dukuri e zakonshme - edhe kjo duhej parandaluar.

3) Dështimi i konferencës së Rambujesë. Milosheviqi përfundimisht refuzoi të nënshkruante marrëveshjen me palën kosovare ndonëse në dokumentin e ofruar Serbia përfitonte tejet shumë.

Në këto orë të vona të 24 marsit të vitit 1999, u vranë në Mitrovicë Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.

Latif Berisha ishte profesor universitar, poet, kryetar i LDK-së në Mitrovicë dhe anëtar i kryesisë në LDK, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, i angazhuar në vazhdimësi për ngritjen arsimore të popullit. Ai u vra në shtëpinë e tij në veri të Mitrovicës.

Agim Hajrizi ishte ekonomist, sindikalist i paepur, kryetar i sindikatave komunale në Mitrovicë, kryetar i qeverisjes komunale në Mitrovicë në vitet e '90-ta. U vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën dhe djalin 10 vjeçar.

Kadri Kadriu ishte poet dhe piktor, që besonte se kultura na sjell më pranë lirisë, ishte krijues i veprave artistike shumë të vlefshme. U vra dy javë para Latif Berishës e Agim Hajrizit, saktësisht më 11 mars 1999.

Këta tre intelektualë, veprimtarë të çështjes kombëtare e mbështetës të UÇK-së, u ndanë nga jeta të parët porsa filluan bombardimet e NATO-s në Mitrovicën që mbeti e ndarë me përfundimin e atyre bombardimeve.

Mitrovica ishte shënjestra e Serbisë agresore. Mitrovica është plaga jonë që s'është mbyllur.

Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test