Na ndiqni

Aktuale

Letra e Haradinajt ku paralajmëron liderët: Përpjekjet për demarkacionin mund të kthehen në piken zero

Nga: Express Më: 28 shkurt 2018 Në ora: 22:33
Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar të mërkurën Lidhjen Demokratike të Kosovës se e ka ndryshuar marrëveshjen mes partive për Projektligjin për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas AAK’së, LDK ka ndryshuar marrëveshjen në Komisionin për Politikë të Jashtme, më konkretisht renditjen e pikës 2, e cila është “Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi si orientim”.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte paralajmëruar udhëheqësit e partive politike  se “çdo ndryshim potencial i kësaj marrëveshjeje parimore rreth Projektligjit mund t’i kthej në pikën zero tërë proceset dhe përpjekjet”.

Express ka siguruar letrën e Haradinajt, ku ai paralajmëronte liderët kundër ndryshimeve ndaj marrëveshjes, që ai e ka quajtur "përfundimtare. 

Megjithatë, në një prononcim deputetja e LDK’së, njëherësh shefe e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur akuzave të partisë së kryeministrit Haradinaj.

“Ne kemi vendosur në votim tekstin e njëjtë, që na është dërguar nga propozuesi”, ka thënë Osmani. 

“Pra, tekstin që është propozuar nga Avdullah Hoti në seancë”, ka theksuar deputetja e LDK’së.

Sipas saj, në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme nuk është ndryshuar asgjë.
“Në Komision nuk kemi ndryshuar asnjë pikë të vetme. Po ai tekst është lexuar në Komision dy herë dhe është votuar nga të gjithë qe ishin prezentë, duke përfshirë përfaqësuesen e AAK’së”, është shprehur ajo.

Express
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test