Na ndiqni

Aktuale

Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, duhet të japin dorëheqje!

Nga: Blic Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 15:59
Jakup Krasniqi

Tre krerët shtetëror Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilët tentuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, është dashur të japin dorëheqje pas dështimit të përpejkjes së tyre për zhbërjen e kësaj gjykate.

Kështu konsideron se është dashur të ndodh, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili është kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA-s. Sipas tij, mënyra e inicimit të zhbërjes së Gjykatës Speciale është bërë pa u menduar mirë, gjë që sipas tij i ka sjellë edhe hije të keqe vendit.

“Mënyra se si është dashur të shfuqizohet kjo gjykatë ka qenë tepër fëmijërore, e pa mënduar sepse institucionet e shtetit duhet të marrin vendime transparente dhe të menduara mirë, dhe unë mendoj që këtu është bërë një gabim, nuk është dashur të bëhet kështu siç është tentuar të bëhet dhe pastaj të tërhiqet. Krerët e shtetit e kanë për obligim që të analizojnë me njerëzit që i kanë për rreth, nëse të tillë nuk kanë ata duhet të kërkojnë ndihmë nga të tjerët, nga njerëzit e dijshëm dhe të virtytshëm, sepse vendi ka njerëz të tillë. Tani i kemi dy të këqija, gjykata e bënë rrugëtimin e saj por Kosovës i ka rënë një hije e zezë nga krerët e shtetit. Në kushte normale, njerëzit që i kanë bërë këto gabime është dashur të tërhiqen nga pozicionet e tyre”, tha Krasniqi gjatë një interviste.

Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, thekson se ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale qysh në vitin 2014 por sipas tij, një gjë e tillë nuk është marrë për bazë nga pushteti i atëhershëm.

“Gjatë bisedimeve që i kemi bërë në vitin 2014 unë kam qenë kundër formimit të Gjykatës Speciale dhe i vetmi jam unë ai që e ka kundërshtu, të tjerët të gjithë e kanë mbështetur, pasi që është e padrejtë dhe nuk ka lidhje me asnjë standart të drejtësisë ndërkombëtare, po ashtu mënyra se si është krijuar njëanshmërishtë, unë mendoj që ishte e dëmshme, është votuar por këta që e kanë votuar është dashur t’i kenë parasyshë këto gjera”, është shprehur ai.

Tutje, Krasniqi ka ritheksuar duke aluduar tek krerët shtetëror se duhet të jenë më të matur në vendimet e tyre ose të heqin dorë nga përgjegjësia që kanë.

“Kosova ka njerëz të dijshëm, dhe ka njerëz që dinë edhe më mirë se ta. Ne duhet të mësohemi kur t’i e ke bërë një gabim të lëshojmë rrugë, unë mendoj që kjo është dashur të bëhet pas këtij gabimi”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 pati miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjin për Gjykatën Speciale.

Miratimi ishte bërë me shumicë votash por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

Ligji për Gjykatën e Posaçme është hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë shumë pak nga vërejtjet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid.

Autoritetet në Prishtinë ishin deklaruar se nuk kanë pasuar mundësi të ushtrojnë ndikim në tekstin e ligjit.

Kuvendi po ashtu kishte miratuar edhe projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.

Blic
Komentet
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test