Na ndiqni

Aktuale

Seanca nis me akuza për liderët në pushtet

Nga: Zëri Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 10:46
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke folur për skandalet në Inspektoratin e Policinë e Kosovës dhe drejtorin për hetimin e krimeve ekonomike, ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj duhet të merr masa ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë kryesore për këtë gjendjen në Policinë e Kosovës.

Selimi tha se Inspektorati në Policinë e Kosovës dhe drejtorati për hetimin e krimeve ekonomike janë diskredituar deri në themel për shkak të krerëve të instaluar në këto institucione.

Selimi: Këto skandale tregojnë se është një rrjet i krimit të organizuar

“Tashmë është gjithçka e qartë, në një vend ku Kryeprokurori i shtetit kapet falsifikator i provimit të jurispodences, ku Drejtori i Departamentit i Hetimeve te Krimeve Ekonomike rrah Drejtorin e institucioni publik në mes Prishtinës dhe nuk suspendohet, në një vend ku shohim në media qindra mijëra Euro duke u numëruar në llogari të oficerëve të lartë të PK-së dhe nuk suspendohet protagonisti, në një vend ku dëgjojmë në media skandale sikur ai i Kryeshefit të IPK-së duke i kërcënuar vartësit e tij për të kryer punësime të paligjshme, e në fund kur të gjithe këta rezulton të jenë në bashkëveprim dhe në mbrojtje të njeri-tjetrit, atëherë s’kemi se si ta quajme këtë ndryshe përveç se një rrjet i sofistikuar i krimit të organizuar që i ka kapur mekanizmat vitale të shtetit. Keshtu duket, pra, shteti i kapur! Kjo nuk është një fantazi”, tha Selimi.

Selimi kërkoi nga ministri i Brendshëm, që në përputhje me kompetencat e tij të marrë masa edhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, duke e ngarkuar atë për gjendjen aktuale në Policinë e Kosovës, pasi drejtori i Policisë do të duhej të merrte masa ndaj varësve të kapur në kryerjen e veprave penale e jo t’i mbronte ata. 

Ai kërkoi të shkarkohet kushdo që është përfshirë në vepra të tilla, në mënyrë që prokurorisë t’i jepet rrugë për hetim.

Deputetët e brengosur për prishjen e shtëpive muze të Jasharajve

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në seancën e Kuvendit ka ngritur çështjen e shtëpive muze të Jasharajve, ku ka kërkuar ndërmarrjen e masave për t’i shpëtuar ato.

Derisa, foli për miratimin e një amendamenti legjislaturën e kaluar që u nda buxheti për konservimin e atyre shtëpive.

Haxhiu: Mjetet e ndara nuk u shpenzuan

 “Amendamenti i miratuar në Kuvend do duhej t’i hapte rrugë konservimit dhe restaurimit të shtëpive muze në lagjen Jasharaj në Prekaz, por Agjencioni për mbrojtjen e Komplekseve Memoriale nuk bëri punën e duhur. Përkundër ndarjes së mjeteve financiare, kodit buxhetor për restaurimin dhe konservimin e shtëpive muze, puna nuk ka filluar as atëherë, as sot, e për më keq mjetet e planifikuara nuk u shpenzuan, ato u ridestinuan e disa nga to shkuan edhe në suficit”, tha Haxhiu.

Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka folur rreth kompleksit memorial Adem Jashari, sipas të cilit nëse nuk merren masa atëherë kullat e Jasharajve do të shemben.     

Haradinaj: Ka pasur fonde për kompleksin memorial

 “Në legjislaturën e kaluar ka kaluar Ligji për Kompleksin Memorail Adem Jashari, pastaj ka rënë Kuvendi dhe ky ligj është kthyer në pikën zero. Ka dy javë që kemi kërkuar që ky ligj të procedohet dhe të amendamentohet sa më shpejt dhe ta merr drejtimin e duhur dhe të zgjidhet sa më shpejt ky problem. Edhe një fakt, nuk po dua të hyj në detaje por është e vërtetë që ka pasur fonde të ndara për kompleksin memorial tash e sa vite. Ka pasur një projekt nga një arkitekt Perparim Rama, e që ka mbetur në sirtar e që nuk dihet ku ka mbetur”, theksoi Haradinaj. Seanca po vazhdon me diskutime për pikat tjera.

Konjufca fton Prokurorinë të hetojë keqpërdorimin e miliona eurove

Glauk Konjufca i Vetëvendosjes në seancën e sotme plenare ka folur për krimin e organizuar dhe keqpërdorimin e miliona eurove.

“Po flas për krimin që është i përzier me pushtetin, i cili bën shkelje të qëllimshme në mënyrë që Kosova të humb miliona euro. Na ka ndodh rasti i pasaportave, i Z mobile, i AXOS-it, dhe i fundit me Bectel Enka. Thaçi kishte nënshkruar një kontratë skandaloze, që e bëri Kosovën shtetin më të varfër me asfaltin me të shtrenjtë në botë”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, qeveria aktuale s’ka çka të bëj në këtë rast por vetëm po funksionon si arkëtar.

“Ministri paraprak po ia hedh përgjegjësinë ministrit aktual, por në fakt kjo i takon asaj të kaluarës. Është nënshkruar një kontratë me kushte rigoroze, Kosovës një muaj vonesë i kushton më 14 milionë euro. Janë paguar borxhet e viteve të kaluara por jo edhe ai i vitit 2017. Qeveritarët gabojnë askush s’jep përgjegjësi por populli duhet të paguaj. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetoj këtë rast sepse nuk bën ky krim të kaloj pa u hetuar”, ka thënë tutje Konjufca. 

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, gjatë seancës plenare të Kuvendit tha se liderët politik në vend bënë që Kosova të bëjë hapa prapa drejt Bashkimit Evropian.

“Liderët politik nuk duhet të lënë asnjë dyshim për orientim strategjik. Liderët politik i kanë dhënë shumë arsye shteteve përfshirë edhe atyre njohëse që Kosova nuk meriton të përfshihet në BE”, ka thënë ajo.

Osmani tha se nuk janë respektuar aspak kushtet e BE-së.

“Ne mënyrë që perspektiva evropiane e Kosovës të bëhet e qartë duhet që të shihen rezultate në drejtësi dhe në fusha tjera ku ka ngecë Kosova. Në mënyrë që orientimi ynë strategjik drejt BE-së të jetë i qarte duhet që ti lexojmë qartë atë çfarë kërkohet aty. Aty thuhet së është zgjedhje jona ndërsa liderët tanë po injorojnë detyrat gjë që benë që Kosova të bëj hapa prapa”, ka thënë Osmani.

Zëri
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test