Na ndiqni

Aktuale

“Kosova drejt izolimit, po futemi në konflikt me perëndimin”

Nga: Bota sot Më: 14 janar 2018 Në ora: 11:39
Gjykata Speciale

Tentimi i 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, është bërë temë edhe në mediat e huaja. Kështu EU Observer, një medium të pavarur që mbulon zhvillimet brenda Bashkimit Evropian, ka publikuar një artikull, i cili i jep hapësirë zhvillimeve politike në vend për Gjykatën Speciale.

Sipas këtij mediumi, i cili citon mediat ballkanike, dy ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shumë mundësi të përballën me këtë gjykatë.

Bëhet fjalë për presidentin Hashim Thaçi dhe deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj, të cilët kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale.

“Daut Haradinaj dhe Thaçi, të dy ish-komandantë të UÇK-së, ka shumë mundësi të ballafaqohen me raste në Institucionin Gjyqësor të Zhvendosur të Specializuar të Kosovës”, ka shkruar EU Observer, duke theksuar se me kundërshtimet që po i bëhen Gjykatës, po rrezikohet e ardhmja evropiane e Kosovës.

E spekulimet për arrestimet e mundshme të ish-figurave të larta të UÇK-së nga Specialja, kanë nxitur zërat të cilët thonë se ato mund të shkaktojnë trazira në vend.

Këtë e kanë pohuar edhe njohës të çështjeve të sigurisë, sipas së cilëve Kosova do të përballet me pasoja të mëdha, në rast se për këtë çështje, duhet të intervenojë edhe KFOR-i.

Duke folur në lidhje me këtë çështje, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë se ka një zymtësi të strukturave shtetërore që merren me siguri.

Ai këtu ka përmendur edhe rastet, në të cilat, sipas tij, shteti ka dështuar funksionimin.

“Problemi ekziston te brishtësia e strukturave shtetërore të Kosovës, të cilat ligjërisht garantojnë sigurinë e Kosovës. Ne jemi dëshmitarë të mosfunksionimit të shtetit në rastin e përfshirjes së ministrave në qitje me armë në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, aktuale është edhe video live e rrahjes publike të drejtorit të postës nga dy policë civil, dhe së treti, justifikimin e kryeministrit të rastit të përdorimit të armëve në mënyrë të paautorizuar të vartësve të tij si dhe heshtjen në rrahjen publike të policëve të drejtorit të postës. Kjo është një qasje primitive për shtetin, e cila nuk përkon me standardet nga të cilat janë ndërtuar demokracitë perëndimore. Këto dy raste janë mostra të cilat pos tjerash, janë tregues i mjaftueshëm për një zymtësi të strukturave shtetërore që merren me siguri”, është shprehur Kajtazi për gazetën “Bota sot”.

Kajtazi: Kosova drejt izolimit, po futemi në konflikt me perëndimin

Eksperti i sigurisë ka theksuar se serbët, të ndihmuar nga rusët, po krijojnë kauza false, të cilat vendin po e çojnë drejt izolimit dhe futjes në një konflikt latent me perëndimin.

“Në anën tjetër, në Kosovë janë aktiv faktorë të jashtë, të fuqishëm që çdo ditë punojnë për të shkaktuar destabilizim të vendit në shkallë të gjerë ngjashëm me atë të marsit të marsit të vitit 2004. Spiunazhi serb i ndihmuar edhe nga ai rus, janë në vijën e parë të frontit për t’i futur shqiptarët në konflikt me SHBA dhe vendet evropiane. Këta posedojnë infrastrukturë të mjaftueshme për ta realizuar këtë objektiv. Duke shfrytëzuar qasjen primitive për shtetin që kanë pushtetarët tanë, serbët të ndihmuar nga rusët, po arrijnë të krijojnë kauza false të cilat vendin po e çojnë drejt izolimit dhe futjes në një fazë të konfliktit latent me perëndimin, e që siç e dimë, është garantues i shtetësisë së Kosovës”, ka theksuar Fadil Kajtazi.

Sipas Kajtazit, për të mos lejuar një përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, mund të intervenojë edhe NATO. Por, ai ka theksuar se Kosova do të përballet me pasoja të mëdha, nëse do të duhej një ndërhyrje e detyrueshme e NATO-s nga ndonjë trazirë eventuale.

Madje sipas ekspertit Kajtazi, një gjë e tillë, do të hapte rrugë Rusisë, për prani ushtarake në Kosovë, që do të pasonte me ndarje të pjesës veriore.

“Këto janë përpjekje permanente, por e kanë një fund, i cili mendoj se do të parandalohet nga një ndërhyrje operacionale e vendeve të NATO-së, për të mos lejuar një përshkallëzim. Nëse vije deri të kjo, dmth një ndërhyrje e detyrueshme e NATO-s për ta stabilizuar vendin nga ndonjë trazirë eventuale, Kosova do të përballet me pasoja të mëdha, ku në radhë të parë do të hyjë në funksion Rezoluta 2144, e cila pos tjerash do t’i hapë rrugë legale Rusisë, për prani ushtarake në Kosovë, gjë e cila do të rezultojë me ndarje përfundimtare të pjesës veriore. Në fakt, ky është edhe synimi i agjenturave serbe, të cilat po tentojnë ta destabilizojnë vendin përmes kauzës së Gjykatës Speciale, demarkacionit, etj. Jemi dëshmitarë të një heshtje absolute të Beogradit zyrtar në këto çështje, për ata që kanë dy gram dije nga këto punë, ky është një fakt i mjaftueshëm për të kuptuar se ata janë duke fërkuar duart!”, ka shtuar për “Bota sot”, Fadil Kajtazi.

Më shumë
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test