Na ndiqni

Aktuale

Doruntina Maloku: Nuk do të lejojmë që PDK ta formojë komisionin për SHIK-un

Nga: Kosovapress Më: 11 janar 2018 Në ora: 13:03
Doruntina Maloku

Vajza e veprimtarit të LDK-së, Enver Malokut, Doruntina Maloku, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i heqë duart nga organet e drejtësisë, duke thënë se LDK nuk do të lejojë që PDK-ja të formojë komisionin për hetimin e SHIK-ut.

Ajo këto komente i bëri me rastin e përvjetorit të vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku, me ç’rast anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë bërë homazhe te lapidari i tij.

E pyetur se a mund të ketë ndonjë iniciativë nga LDK-ja për të mbledhur nënshkrime që të hetohet SHIK-u, Doruntina Maloku thotë se është kundër formimit të komisionit për hetimin e SHIK-ut.

Maloku: Ne jemi kundër, nuk do të lejojmë që PDK-ja ta formojë komisionin

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë në lidhje  me hetimin e  SHIK-ut. Ne kemi qenë të gatshëm të hetojmë SHIK-un në kohën kur ne kemi qenë në Qeveri. Në atë kohë ne do ta kishim shumicën në komision dhe nuk do të lejonim që të bëheshin manipulime me dëshmitë për SHIK-un. Në këtë kohë kur kryeparlamentari Kadri Veseli kërkon që të formohet komisioni për hetimin e SHIK-ut, ne jemi kundër, sepse nuk do të lejojmë që PDK-ja ta formojë komisionin për SHIK-un dhe ta hetojë vetveten”, tha ajo.

Për shkak të  gjendjes shëndetësore, në këto homazhe mungoi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ish-kreu i Prishtinës, Ismet Beqiri, theksoi se Enver Maloku i mungon jo vetëm Lidhjes Demokratike, por edhe Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.

Image

Beqiri:  Sot u bënë 19 vite nga vrasja e Malokut

“Sot po bëhen 19 vite, që nga vrasja makabre e shefit të QIK-ut, bashkëpunëtorit më të ngushtë të presidentit Rugova. Ne sot ishim për homazhe,  kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës  dhe përfaqësues tjerë, deputetë  dhe aktivistë e veprimtarë tjerë, për të nderuar edhe njëherë figurën e madhe të Enver Malokut, njeriut të pendës, një njeriu të mprehtë, një njeriu inteligjent, kombëtar, atdhetar, i cili në kohën më të vështirë, ishte ai që me shkrimet e tij, me botimet e informatorit në atë kohë, dhe shumë punë tjera që i bënte në aspektin informativ, bëri që bota të njehë problemin dhe problemet që ishin në Kosovë  në kuptimin e diskriminimit, dhunës dhe gjithë asaj që bëhej karshi shqiptarëve. Prandaj, edhe sot me këtë rast ne shprehim dhembjen tonë për mungesën e një njeriu, një bashkëshorti,  një familjari, një prindi dhe siç e thashë një intelektuali të madh”, tha ai.

Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të punojnë për zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut, në mënyrë që familja e tij të ketë qetësi shpirtërore.

Beqiri: Organet e drejtësisë e kanë për obligim zbardhjen e këtij rasti

“Shfrytëzojmë mundësinë të themi se organet e drejtësisë e kanë për obligim, vazhdimisht e kemi thënë dhe s’do të rreshtim së kërkuari që të zbardhet vrasja e Enverit dhe e shumë veprimtarëve tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të tjerëve që u vranë në mënyrën më barbare, tinëzare, nga një dorë që nuk ia ka dashur të mirën Kosovës”, tha ai.

I pyetur se a ka bërë diçka konkrete për hetimin e këtij rasti dhe rasteve tjera të vrasjeve politike, Beqiri tha se këtë punë duhet ta bëjnë organet kompetente, por sipas tij ka pasur interesa që këto raste të mos zbardhen.

Enver Maloku është vrarë më 11 janar të vitit 1999 në rrethana ende të pasqaruara dhe rasti i tij ende nuk është zbardhur.

Image
KosovaPress
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test