Na ndiqni

Aktuale

Ambasada Amerikane deklarohet për rastin e vizës së Kryeministrit Haradinaj

Nga: Express Më: 9 janar 2018 Në ora: 16:11
Ramush Haradinaj

Është bërë tashmë çështje nacionale refuzimi vizës për Kryeministrin Ramush Haradinaj, por institucioni që e ka marrë këtë vendim, Ambasada Amerikane, refuzon të komentojë. Kjo ambasadë ka një arsye pse po vepron kështu

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj nuk morri vizë amerikane. Atë nuk ia dha Ambasada Amerikane në Prishtinë, me ambasadorin e së cilës, Greg Delawie, Haradinaj, por edhe liderët e tjerë kosovarë kanë acaruar marrëdhëniet që nga fundi i viti 2017, kur tentuan ta shfuqizonin të ashtu-quajturën Gjykata Speciale.

Por, pse Ambasada e SHBA’ve nuk e pajisi me vizë Kryeministrin Haradinaj, kur ai kishte një ftesë zyrtare nga shteti amerikan i Iowa?

Të pyetur nga Express në këtë ambasadë kanë refuzuar të komentojnë për këtë vendim.

“Ambasada Amerikane nuk i komenton çështjet e vizave individuale, dhe kjo duke u bazuar në ligjin tonë (amerikan) mbi privatësinë”, ka thënë Richard Mei, zëdhënës në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Haradinaj nuk ka mundur të udhëtojë drejt SHBA’së për të marrë pjesë në një ceremoni në shtetin e Iowa’s për shkak se nuk i është lëshuar viza. Në vend të tij është thënë se do të udhëtojë Behgjet Pacolli.

Shefi i Qeverisë po ashtu ka ftesë për pjesëmarrjen në Mëngjesin e Lutjeve që çdo 4 shkurt mbahet në Uashington, por nuk dihet çfarë do të ndodhë deri në muajin e ardhshëm.

Edhe pse përfundimisht Haradinaj nuk do të marrë pjesë as në vizitën e planifikuar në Iowa, Qeveria e Kosovës ka mohuar raportimet në media se shefit të saj, Ramush Haradinaj, nuk i është dhënë viza për të bërë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i Kabinetit të Haradinajt, Avni Arifi, ka thënë se Kryeministri ka aplikuar me vonesë për vizë amerikane. “Faji është tek ne, që kemi aplikuar me vonesë. Shumë vonë janë dërguar aplikimet”, ka bërë të ditur Arifi, në një prononcim.

“Po të kishte qenë ftesë e nivelit të lartë, brenda ditës do t’i jepej viza. Por, Kryeministri nuk ka marrë një ftesë të tillë”, ka thënë të hënë Arifi.

Përtej sqarimeve të stafit të tij, burimet kanë shpjeguar çështjen e mosdhënies së vizës për Haradinajn. sipas tyre, ai po i nënshtrohet një procesi për aplikimin për viza që vlen për ish-pjesëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo procedurë zgjatë rreth 5 javë.

Këtyre pesë javëve mund t’i shpëtojnë ata që bartin pozita shtetërore, me ndërhyrjen e Departamentin Amerikan të Shtetit dhe duket sikur këtu ka çaluar kryeministrin me punën e vizës.

DASH ka vendosur të mos t’ia lehtësojë rrugën kryeministri Haradinaj, me gjasë për shkak të zhvillimeve të fundit, kur shefi i ekzekutivit kosovar befasoi me mosbindjen e tij ndaj SHBA’së.

Në fakt, kjo procedurë, sipas burimit, kalohet vetëm në vizitën e parë që i bën SHBA’së dhe më pas i nënshtrohesh procedurës së marrjes së vizës normalisht. Por, duket se shteti amerikan po i hakmerret Haradinajt, duke e obliguar që të kalojë nëpër të.

Në dy çështjet më të rëndësishme periudhën e fundit; shfuqizimi i Gjykatës Speciale dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri Haradinaj vendosi të mos shkojë në një vijë me sugjerimet e SHBA’së.

Ambasada amerikane në Kosovë paralajmëronte se zhbërja e Speciales, që Haradinaj e përkrahte, e izolon vendin, njëjtë sikurse edhe mosratifikimi i Demarkacionit.

Express
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test