Na ndiqni

Aktuale

Raportet e Kosovës me shtetin Amerikan të cilin dështoi ta vizitonte kryeministri

Nga: Insajderi Më: 7 janar 2018 Në ora: 21:38
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj kishte planifikuar që më 7 janar të udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por një problem me vizë ka bërë që udhëtimi zyrtar i tij drejt ShBA-vë të dështoi.

Kryeministri i Kosovës kishte planifikuar që të merrte pjesë në ceremoninë Lutjeve të Mëngjesit në Uashington dhe të vizitonte shtetin amerikan të Iowa-s – shtet më të cilin Kosova ka lidhur marrëdhënie bashkëpunimi në të kaluarën.

Mirëpo, cilat janë këto “marrëdhënie të ngushta” mes Kosovës dhe Iowa-s?

Lidhjet e Haradinajt me shtetin e Iowa-s nuk kalojnë vetëm përmes dy shteteve, por kryeministri kosovar ka edhe një lidhje personale me këtë shtet nga veriu i Shteteve të Bashkuara, raporton Insajderi.

Në qershor të vitit të kaluar, pas zgjedhjeve lokale të 11 qershorit, Haradinaj ishte nderuar me medaljen e partneritetit të shtetit Iowa me Kosovën nga sekretari i këtij shteti për Bujqësi, Bill Northey.

Në vitin 2013, ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Guvernatori i Iowa-s Terry Branstad, nënshkruan marrëveshjen për partneritet për shtetet simotra, ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s.

Po ashtu, edhe tri qytete të Kosovës janë binjakëzuar me tri qytete nga Iowa. Qytetet e Kosovës që janë binjakëzuar me qytete nga Iowa janë Vushtrria, Gjakova dhe Mitrovica.

Ndërkaq, marrëdhëniet e Kosovës dhe Iowa-s janë shumë të ngushta veçanërisht në fushën e sigurisë. Ky partneritet filloi në mes Gardës Kombëtare të Shtetit të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vitin 2012, për tu zgjeruar më pas edhe në fusha tjera.

Që nga atëherë janë zhvilluar vizita të shumta në nivelin më të lartë shtetërorë nga të dyja shtetet dhe janë nënshkruar disa marrëveshje të tjera bashkëpunimi.

Vitin e kaluar, në praninë e Sekretarit të Shtetit të Iowa-s, Paul Pate, Senatorëve të këtij shteti, Komandantit të Gardës Kombëtare, Gjeneral-majorit, Timothy Orr, të hënën nëpërmjet një ceremonie zyrtare, u bë ngritja e flamurit të Republikës së Kosovës në Konsullatën e Kosovës në shtetin e Iowa të ShBA-së.

Më 20 nëntor të vitit 2017, Kosova hapi Konsullatë në Iowa. Kjo konsullatë u bë e treta e Kosovës në SHBA, pas Ambasadës në Uashington dhe Konsullatës tjetër në New York.

Madje, po në vitin 2017, Sekretari i Shtetit të Iowa-s Paul Pate kishte pritur pesë anëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), në zyrën e tij. Për këtë pritje të anëtarëve të FSK-së, Pate ishte ndjerë i nderuar.

“I nderuar t’i kisha dy ushtarë të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe pesë ushtarë të Shërbimit të Sigurisë nga Kosova për një takim në zyrë sot”, kishte shkruar Sekretari i Iowa-s në Twitter. /Insajderi.com

Insajderi
Komentet
Më të lexuarat
Sondazh A mendoni se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza këtë vit?
test